Shën Valentini, martir e dëshmitar i dashurisë së vërtetë
R.SH. / Vatikan
Ata që dëshmojnë dashurinë e vërtetë vënë në rrezik gjithçka, madje edhe jetën e tyre, sepse të duash do të thotë të japësh veten. Kjo dëshmi gjendet në historinë e çdo martiri të Kishës, edhe në atë të Shën Valentinit, të cilit i është besuar ndërmjetësimit qiellor për të dashuruarit dhe të fejuarit.
Arsyeja e këtij ndërmjetësimi qiellor nuk është e qartë, por sigurisht që ofron rastin për të reflektuar mbi nevojën e rizbulimit të shikimit të Zotit në sytë e atyre që na duan. Martirizimi i Shën Valentinit, i cili ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Ternit, Itali, daton në shekujt III e IV dhe përshkruhet në disa dokumente të shekujve V e VIII. Valentini u arrestua pasi kishte konvertuar në fenë e krishterë, falë shenjave të jashtëzakonshme, disa figura "të shquara" të Romës pagane. Për këtë arsye u torturua dhe iu pre koka gjatë natës; trupi u gjet dhe rikuperua nga dishepujt Proculus, Efebus dhe Apollonius, të cilët për këtë edhe u martirizuan.