Pushofsh në paqe prof. Zef Chiaramonte
R.SH. - Vatikan
Ndërroi jetë dje (11 shkurt 2024) një nga personalitetet më të shquara të kulturës arbëreshe, prof. Giuseppe (Zef) Chiaramonte. Programi shqip i Radio Vatikanit, me të cilin ka bashkëpunuar disa herë, duke dhënë intervista e informacione të vyera për çështje, që kanë të bëjnë sidomos me botën arbëreshe, u shpreh ngushëllimet familjarëve dhe merr pjesë me lutje në dhimbjen e tyre.
Prof. Zef Chiaramonte, që ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen e pasurisë kulturore, historike, gjuhësore dhe kishtare të arbëreshëve, u lind më 29 korrik 1946 në Santa Cristina Gela, Sicili. Ka qenë mësues i shkollës së mesme e më pas, drejtor biblioteke në Palermo. Gjatë gjithë jetës së tij, studoi me pasion kulturën e Evropës Lindore, sidomos atë të Ballkanit, duke ndjekur edhe kurse në universitetet e Selanikut dhe të Prishtinës.
Po studoi edhe filozofi e teologji në universitetet papnore të Romës, pastaj, historinë e Evropës Lindore, filologjinë bizantine, arkeologjinë kristiane, artin bizantin…Në Romë u njoh dhe frekuentoi, së bashku me shumë studentë tjetër të ri arbëreshë, Prof. Ernest Koliqin, At Zef Valentinin, nga të cilët u frymëzua edhe me shumë për botën shqiptare, me të cilën qe lidhur gjatë gjithë jetës. Në idealin arbëror e shpirtëror, vend të veçantë në jetën e Zefit pati Kisha Arbëreshe e ritit bizantin, e cila ruajti e kultivoi përherë identitetin, gjuhën dhe traditat e arbëreshëve në Itali e jo vetëm.
Kureshtar për çdo gjë, që kishte të bënte me gjuhën e të parëve, merrte pjesë çdo vit në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të Universitetit të Prishtinës. Në kryeqytetin e Kosovës njohu personalitete si prof. Anton Çeta, Prof. Ymer Jaka, prof. Ibrahim Rugova etj, me të cilën pati marrëdhënie vëllazërore e kulturore. Për vite me radhë, mbajti leksione falas të gjuhës arbërishte në shkollat publike në Sicili e në bibliotekën, që drejtonte. Ndihmoi sa mundi, sidomos duke bërë përkthime e duke i shoqëruar në hapat e para, shqiptarët e dyndur në Itali, pas rënies së komunizmit, por edhe refugjatët kosovarë të luftës së mëvonshme, strehuar në kampin e Comiso-s, gjithnjë në Sicili. Deri në vitin 2002 ka qenë sekretar i Komitetit italian Pro Kosova, si edhe përgjegjës për kulturën arbëreshe dhe shqiptare në Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve mbi Mitin.
Ka bërë studime pa fund e ka shkruar disa libra, gjithnjë me synimin për të mbrojtur e përhapur kulturën arbëreshe. Përmendim “Noi veniamo dall’Albania (Ne vijmë nga Shqipëria)”, tekst dygjuhësh për fëmijë; “La Terra di Costantino (Toka e Kostandinit)”, ku, nga burime dokumentare, reflekton mbi praninë e bizantinëve, të arabëve, normanëve e shqiptarëve në Santa Cristina Gela; më 2015, pa dritën e botimit vëllimi me poezi “Vulë uji”, edhe ai dygjuhësh. U njoh nga Fakulteti i Letërsisë së Universitetit të Palermos si kultivues i albanologjisë, por ai fliste disa gjuhë, si latinishten, greqishten e vjetër, natyrisht, italishten dhe arbërishten, si edhe shqipen standarde e dialektet e shqipes, frëngjishten, greqishten e re dhe serbishten.
Të gjitha gjuhë, që i shërbyen në studimet e tij për ta vënë në pah e për ta ruajtur arbërishten e shqipen, për të cilat u thoshte gjithnjë bashkëatdhetarëve me të njëjtën origjinë ta mësonin e ta kultivonin, pa e harruar dheun mëmë. Prof. Zef Chiaramonte mbetet një studiues erudit, me përmasa ndërkombëtare, siç e ka quajtur dikush (shih “Zjarri arbëror i pashuar” (2021) i Bexhet Asanit). Duke e përshëndetur me fjalët 'të qoftë dheu i lehtë'! 'I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o i lumturi dhe i përkujtuari vëllai ynë'!
Ne të programit shqip të Radio Vatikanit ju ftojmë të dëgjoni edhe një herë zërin e tij, në njërën nga intervistat e shumta, që na ka dhënë më 16 tetor 1999 me rastin e Simpoziumit të krishterimit ndër shqiptar, mbajtur në Tiranë. Prof. Zef Chiaramonte për Arbëreshët dhe kontributin e Kishës në ruajtjen e identitetit Arbenor në mikrofonin e dom David Xhuxha: