Bambino di 11 anni usa il cellulare a letto

UNICEF: 8% deri në 58 % e fëmijëve, pa mbrojtje nga urrejtja dhe dhuna e internetit

Në një studim, paraqitur nga UNICEF-i me rastin e “Safer Internet Day”, vihet në dukje se ambienti dixhital, që në pjesën më të madhe nuk rregullohet me ligj, mund t’i ekspozojë fëmijët dhe adoleshentët ndaj rrezikut të mesazheve të papërshtatshme për ta, plot urrejtje e dhunë. Ndër 36 vendet e marra në shqyrtim, gjendja është më e keqe në Poloni

R.SH. – Vatikan

Pa mbrojtjen e duhur, interneti mund të jetë i rrezikshëm për fëmijët. Sot u kremtua në gjithë botën Dita e Internetit më të Sigurt (Safer Internet Day) e me këtë rast, organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF bën të ditur rezultatet e një studimi me temë: “Ekspozimi i fëmijëve dhe i adoleshentëve ndaj mesazheve të urrejtjes dhe pamjeve të dhunshme në internet”. Studimi bazohet në analizimin e  31.790 fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës 12 deri në 16 vjeç nga 36 vende, ndërmjet viteve 2016 dhe 2021.

Më pak në Indonezi e më shumë në Poloni

Ekspozimi ndaj mesazheve të urrejtjes ndryshon, në varësi të vendit, nga 8% në 58%, është më pak i përhapur në Indonezi dhe Vietnam (8%) dhe më shumë në Poloni (58%). Të dhënat në lidhje me ekspozimin ndaj pamjeve të dhunshme janë të ngjashme: përqindja është ndërmjet 15% (Indonezi) dhe 55% (Poloni).

 Ambienti dixhital, vë në dukje UNICEF-i, në pjesën më të madhe të tij nuk rregullohet me ligj, prandaj, mund t'i ekspozojë fëmijët dhe adoleshentët ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, ose potencialisht të dëmshme. Pothuajse në të gjitha vendet, fëmijët më të rritur janë ata, që kanë sinjalizuar më shumë ekspozime ndaj mesazheve të urrejtjes dhe pamjeve të dhunshme në internet, sepse adoleshentët e përdorin internetin më shpesh dhe në mënyra nga më të ndryshmet, duke e rritur mundësinë për t’i hasur këto mesazhe.

Të investohet në mbrojtjen në internet që në fazën fillestare

Natyrisht, mundësia më e madhe për t’u lidhur në internet shoqërohet me rrezikun më të lartë të gjetjes së këtyre mesazheve me përmbajtje të dëmshme, por kjo mund të ndodhë edhe në vendet me rrjet jo të përhapur. Është e rëndësishme, nënvizon UNICEF-i, të investohet në mbrojtjen në internet që në fazën fillestare të transformimit dixhital të një vendi. UNICEF-i ​​thekson nevojën për të zhvilluar sisteme, politika dhe rregullore të mbrojtjes në internet, njëkohësisht me përhapjen e tij.

 "Disa vende me internet të përhapur kanë arritur ta mbajnë të ulët ekspozimin ndaj mesazheve të urrejtjes dhe pamjeve të dhunshme në rrjet", shpjegon raporti. “Një shqyrtim i mëtejshëm i politikave dhe i praktikave të këtyre vendeve, ose i platformave që ata përdorin më shumë, mund të nxjerrë në pah zgjidhje politike, ose legjislative për mbrojtjen, për t’u marrë si shembull. Këtu, mund të përfshihen ligjet mbi përmbajtjet me urrejtje e dhunë në internet, ose praktikat e moderimit të përmbajtjes, të cilat, shpesh, ndryshojnë sipas platformës a gjuhës".

Sondazhi i ri për ndikimin e “influencer”

Statistikat tregojnë se përhapja e urrejtjes dhe e dhunës në internet është çështje globale, që prek fëmijët dhe të rinjtë në mbarë botën. Prandaj, në platformën U-Report, është paraqitur një sondazh i ri për t’u thelluar në ndikimin, që kanë praktikat “social” promovuar nga të ashtuquajturit “influencer”, në mënyrën e të menduarit, të përdorimit të rrjeteve shoqërore dhe në stilet e jetesës. U-Report është platforma dixhitale e mesazheve të UNICEF-it, ku mund të marrin pjesë adoleshentë, të rinj e bashkësi. Ka të regjistruar 33,5 milionë vetë nga 99 vende të botës.

06 shkurt 2024, 15:12