Kërko

Më 12 mars kalendari kujton Shën Luigjin Orione, meshtar

Don Orioni ndihmonte këdo që kishte nevojë për ndihmë, pa e pyetur se kush je apo nga vjen e të cilit komb apo fe i përket. Bijtë e tij, orioninët, të përhapur në shumë vende të botës, kryejnë misionin edhe në Shqipëria e pikërisht në Elbasan dhe Shirokë. Kudo janë, ndihmojnë përforcimin shpirtëror të besimtarëve, përgatitjen profesionale të të rinjve, asistojnë pleqtë, njerëzit me aftësi të kufizuara fizike e mendore, m sëmundje të pakurueshme

R.SH. - Vatikan

Më 12 mars kalendari kishtar kujton Shën Luigjin Orione, meshtar e themelues i Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore, për të mirën e të rinjve dhe të gjithë personave të mënjanuar.

Shën Luigji Orione është një shenjt i ditëve tona, jetoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar e ia kushtoi tërë jetën më të varfërve, duke ia besuar veprat e tij Provanisë Hyjnore. Bijtë e tij, orioninët, të përhapur në shumë vende të botës, kryejnë misionin edhe në Shqipëria e pikërisht në Elbasan dhe Shirokë. Kudo janë, ndihmojnë përforcimin shpirtëror të besimtarëve, përgatitjen profesionale të të rinjve, asistojnë pleqtë, njerëzit me aftësi të kufizuara fizike e mendore, m sëmundje të pakurueshme.  Përgjithësisht don Oroni ndihmonte këdo që kishte nevojë për ndihmë, pa e pyetur se kush je apo nga vjen e të cilit komb apo fe i përket. Lindi më 23 qershor 1872 në Tortona. Në moshën 14 vjeçare shkon në Torino te don Bosko edhe aty kryen gjimnazin. 

Pastaj kalon në seminarin e Tortonës, e kur në vitin 1895 shugurohet meshtar, tashmë ka themeluar një oratorë dhe kolegjin e parë për të rinjtë e varfër. Është filli i “Veprës së Vogël i Provanisë Hyjnore”, që përbëhet prej priftërinjve, studentëve për meshtari e ndihmësve, vepra e të cilëve në ndihmë të të varfërve mbështetët nga lutjet e “Oshënarëve të Provanisë” dhe Motrat Sakramentine të verbra. Në mars të vitit 1940, pas një sëmundje, e çojnë në Sanremo, ku vdes më datën 12 mars të njëjtit vit.

Më 26 tetor 1988 Papa Gjon Pali II e shpall të Lum gjatë Sinodit të ipeshkvijve, ndërsa Shenjt u shpall në maj të viti 2004. Shembulli i tij është për bijtë e tij shpirtëror, orioninën e të gjithë një nxitje për të vijuar udhën në gjurmët e këtij Shenjti, posaçërisht për t’i sjellë tek Kisha e Pjetrit – siç thoshte shpesh ai vetë – njerëzit e vegjël, të përvujtë, punëtorët e varfër e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, që janë më të dashurit për Zotin dhe thesari i vërtetë i Kishës së Jezu Krishtit.

12 mars 2024, 10:21