Më 15 mars kalendari kishtar kujton Shën Zakarinë, Papë
R.SH. - Vatikan
Shën Zakarina, Papë nga 10 dhjetori i vitit 741, deri më 15 mars 752, Zakaria ishte bir i një familjeje greke, me banim në Kalabri, ku edhe lindi në vitin 700 pas Krishtit. Duhet të ketë qenë diakon i Kishës së Romës, sepse emrin e tij e gjejmë ndërmjet nënshkruesve të Sinodit romak të vitit 732. U zgjodh papë në dhjetor të vitit 741, pas Gregorit III (731-741), pa kërkuar më konfirmimin e ekzarkut perandorak të Ravenës. Periudha kur u ul në fronin papnor, ishte tejet e vështirë për Kishën. Longobardët, të komanduar nga mbreti Liutprando, ishin në portat e Romës, ndërsa Perandoria Bizantine e Lindjes, në kulmin e luftës së ikonathyesve.
Papa Zakaria u përpoq t’i zgjidhte konfliktet e mprehta, mes të cilave duhej të kryente misionin e tij. U takua, në Terni, me Liutprandin dhe me disa fisnikë të kohës, që vijonin të ndesheshin për zgjerimin e principatave të tyre. Arriti t’i kthente sundimin e ligjshëm edhe dinastisë së re karolinge, në Francë. Përsa i përket Perandorisë së Lindjes, pati marrëdhënie të stuhishme me perandorin Kostandini V Kopronim (718-775), nxitës i politikës së thyerjes së ikonave. Pas shumë përpjekjesh, ia doli mbanesh ta afrojë me Kishën e Romës.
Thirri dy Sinode për Romën, në të cilat konfirmoi dënimin e shqiptuar nga Shën Bonifaci kundër dy heretikëve, Adalbertit e Klementit. I qeverisi me sukses Kishën dhe trojet, që i përkisnin, për dhjetë vjet me radhë. Gjatë papnisë së tij organizoi kolonitë bujqësore, rindërtoi pallatin e dëmtuar të Lateranit, zbukuroi Kishën e lashtë të Shën Marisë, në këmbët e kodrës Palatine, ku ruhet ende portreti i tij, realizuar kur ishte gjallë.
Zakaria, i fundmi papë grek, erudit i thellë, vdiq më 15 mars të vitit 752, në Romë e u varros në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Emri Zakari vjen nga gjuha aramajke e do të thotë ‘kujtesë e Zotit’. Për të, në Martiriologun Romak, shkruhet: Zakaria papë i vuri pritë pushtimit longobard; u tregoi frankëve cila ishte qeverisja më e drejtë; ndërtoi Kisha për popujt gjermanikë dhe siguroi unitetin me Kishat e Lindjes, duke e drejtuar Kishën e Zotit me mprehtësi e urti të madhe.
Nga Martirologu
Në Romë, Shën Zakaria, Papë, frenoi vrullin e pushtimit longobard, u tregoi frankëve se cila ishte qeveria e duhur, i pajisi popujt gjermanikë me Kisha dhe mbajti të patundur bashkimin me Kishën e Lindjes, duke qeverisur Kishën e Zotit me shumë kujdes dhe maturi.