Kërko

Më 20 mars kalendari kujton shën Gjon Napomuçenin, meshtar e martir

Duke u qëndruar pranë të gjithë njerëzve që kishin nevojë për meshtarin, Gjon Nepomuçeni Neuman e la krejt pas dore kujdesin për vetveten. Organizoi sistemin shkollor dioqezan e rriti numrin e shkollave katolike. Ipeshkëv popullor e për këtë u kritikua shumë prej grupeve të ndryshme antikatolike. Iu kushtua në mënyrë të posaçme formimit shpirtëror të të rinjve. Mbeti njeri i doktrinës, njeri i Zotit në shtegtim drejt njerëzve

R.SH. - Vatikan

 Shën Gjon Napomuçeni, meshtar e martir lindi në Napomuk të Bohemisë më 28 mars të vitit 1811 në një familje zejtarësh. Emri i tij i dytë - Napomuçeni - është i një shenjti të shekullit XIV, që quhej kështu, sepse kishte lindur në Napomuç të Bohemisë, vend që në 1800-tën i përkiste Perandorisë Austro-hungareze.

Studioi më parë disiplinat klasike në shkollën Ceke Budojevice, për të kaluar më pas në seminar në Universitetin e Pragës, ku studioi teologjinë. Përveç studimeve filozofike e teologjike, interesohej për astronomi e botanikë. Në moshën 24 vjeç ishte gati për t’u bërë prift, dëshironte shugurimin meshtarak, mirëpo ipeshkvi i tij, në vitin 1835, vendosi që nuk do të kishte shugurime tjera meshtarake, pasi që Bohemia kishte një numër të madh priftërinjsh.

Gjoni Nweman, që fliste tetë gjuhë, i shkroi ipeshkvijve amerikanë duke kërkuar të shugurohej për meshtar. Në vitin 1836 emigroi në SHBA-së, zuri vend në Manhatam, ku u mirëprit nga ipeshkvi John Dubois, i cili kishte vetëm 36 priftërinj për Shtetet e Nju Jorkut e të Nju Xhersit. Dy javë pasi kishte arritur në SHBA u shugurua meshtar dhe u dërgua në Bufalo, ku do të kujdesej për emigrantët me origjinë gjermane. Meshtari i ri u vendos në Williamswille ku nisi të banojë në një shtëpi të vogël, që u bë qendër e veprimtarisë misionare. Nga kjo shtëpizë nisej çdo ditë për të vizituar e takuar popullsinë e fshatrave për rreth: kështu bëri miq e armiq, dashamirë e kundërshtarë, jetoi me rrezik mbi kokë, në varfëri të plotë, për ta kryer si duhet detyrën e misionin që i qenë besuar. 

Duke u qëndruar pranë të gjithë njerëzve që kishin nevojë për meshtarin, Gjon Nepomuçeni Neuman e la krejt pas dore kujdesin për vetveten. Nisi të flinte pak, të hante edhe më pak. Shpesh herë ushqehej vetëm me bukë e ujë, sa për të mbajtur gjallë shpirtin. Po atij kështu i pëlqente, sepse e ndjente veten të realizuar vetëm duke jetuar në atë mënyrë që Shën Pali Apostull e kishte përshkruar në letrën e tij të dytë drejtuar të krishterëve të Korintit: “Udhëtime të panumërta...rreziqe ndër qytete...rreziqe ndër shtigje e shkreta...
Lodhje, kundërshtime, uri e etje”. E një jetë e tillë nuk do të vononte të jepte frytet e veta shpirtërore.

Hyri në urdhrin e Redentoristëve dhe në vitin 1825 papa Piu IX e emëroi ipeshkëv të Filadelfias. Ipeshkvi i ri do t’u printe meshtarëve e besimtarëve me shembullin e jetës personale. Dha një kontribut të jashtëzakonshëm për riorganizimin e dioqezës. Qe i pari që organizoi sistemin shkollor dioqezan e rriti numrin e shkollave katolike në dioqezë nga një deri në dyqind. I pranoi Motrat Skolastike të Zojës së Bekuar për t’u përkujdesur për të edukimin e të varfëve e të fëmijëve jetimë. 

Ishte ipeshkëv popullor e për këtë u kritikua shumë prej grupeve të ndryshme antikatolike. Në Filadelfia prelati ngriti pesë Kisha e filloi ndërtimin e Katedrales. Iu kushtua në mënyrë të posaçme formimit shpirtëror të të rinjve. Mbeti njeri i doktrinës, njeri i Zotit në shtegtim drejt njerëzve. E ashtu vdiq: në shtegtim, derisa fama e shenjtërisë së tij përhapej kudo e mbështetur edhe me mrekulli që Zoti kryente me ndërmjetësinë e tij. Vdiq në moshën 48 vjeç më 5 janar 1860, u shpall shenjt në vitin 1977 nga Papa Pali VI.

20 mars 2024, 08:55