Më 22 mars kalendari kujton shën Benvenuto-n Scotivoli, ipeshkëv
R.SH. - Vatikan
Më 22 mars kalendari kishtar kujton shën Benvenuto-n, ipeshkëv, njeri me fe të gjallë e përvujtëri të thellë, e jo më pak, me kulturë të jashtëzakonshme teologjike.
Lindur në Ankona, Itali, në një epokë të panjohur, Benvenuto studio drejtësinë në Bolonjë nën drejtimin e Silvestro Gussolino-s, kanonik nga Osimo. Pastaj u emërua kapelan papnor e, para vitit 1262, kryediakon i Ankona-s. Më 10 gusht të vitit 1263 bëhet administrator i dioqezës së Osimo-s në Marche, e cila qe bashkuar me atë të Umana-s nga Papa Gregori IX ( si ndëshkim për kalimin në krahun e Federikut II), duke zëvendësuar në këtë dioqezë Giovanni Colonna-n.
Benvenuto, françeskan, bashkëmoshatar e bashkëpunëtor i ngushtë me shën Bonaventurën, në një periudhë kur ndodhin çarjet e para të familjes françeskane, e cila u nda në observantë e konventualë. Shën Bonaventura është biografi më i ditur e më i besueshëm i shën Françeskut të Asizit, themeluesit të etërve françeskanë.
Si ipeshkëv në dioqezën e Osimo-s, Itali, Benvenuto promovoi paqen ndërmjet qytetarëve e, jetoi dhe veproi në frymën e Fretërve të Vegjël, deri sa ndërroi jetë më 22 mars 1282. U varros në katedralen e Osimo-s, në një mauzole, përgatitur për të nga kleri e nga populli. Më 1 korrik u mbart në kriptën e së njëjtës katedrale. Benvenuto nuk është shpallur kurrë zyrtarisht shenjt nga Kisha, e megjithatë populli e zgjodhi si Pajtor qiellor të qytetit të Osimo-s që më 1755. Festa e tij, në dioqezën osimiane e në atë të Cingolit, ashtu edhe në urdhrin françeskan, kremtohet nga kalendari kishtar më 22 mars.