Më 8 mars kalendari kujton Shën Gjonin e Zotit
R.Sh. - Vatikan
Më 8 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Gjonin e Zotit, rregulltar. Rrugët e shenjtërisë janë të pafundme, e këtë e dëshmon më së miri jeta tokësore e këtij shenjti të jashtëzakonshëm, shën Gjonit të Zotit. Juan Ciudad, i lindur në Montemor-o-Novo, pranë Evorës (Portugali) më 8 mars 1495, në moshën 8 vjeçare iku nga shtëpia e u ndal në Oropesa të Kastilies së Re.
Njerëzit, të cilët e shikonin fëmijën e panjohur, që bridhte i vetmuar, filluan ta thërrisnin Gjoni i Zotit. E ky emër i mbeti për tërë jetën. Për të fituar bukën e gojës, nisi të punonte si bujk e pastaj si bari. Më pas hyri në ushtrinë e Karlit V, në radhët e së cilës luftoi për mbrojtjen e Vjenës së rrethuar nga Sulltan Sulejmani II.
Posa mbaroi lufta, i shpenzoi të gjitha paratë që kishte fituar, duke bredhur nëpër Evropë e deri në Afrikë, ku rifilloi të punonte si punëtor krahu. Provoi, në vijim, punë të ndryshme, në vende të ndryshme, që nga shitësi shëtitës, tek libërshitësi, deri ditën kur dëgjoi një predikim të të Lumit Gjonit të Avilës.
E Gjoni i Zotit braktisi gjithçka, shiti libra e dyqan e deri veshjet e këpucët dhe nisi të lypte nëpër rrugët e Granatës, duke iu drejtuar kalimtarëve me fjalët, që u bënë emblema e një institucioni të ri të mirënjohur në gjithë botën: "Fatebenefratelli" - "Bëni mirë vëllezër!". Por banorët e Granadës menduan se e mira më e madhe që mund t'i bënin, ishte ta mbyllnin në çmendinë. Keqkuptim providencial. Në çmendinë Gjoni kuptoi se metodat që përdoreshin për të mjekuar të sëmurët mendorë ishin jo vetëm të gabuara, por edhe të denja për xhelatë.
Kështu, sapo u lirua nga ky ferr, me ndihmën e disa bamirësve, themeloi spitalin e vet. Ndonëse nuk merrte fare vesh nga mjekësia, u tregua shumë më i aftë se mjekët në mjekimin e sëmundjeve mendore, duke përdorur metodën psikoanalitike ose psikomatike, fare e panjohur asokohe. Kjo metodë do të përdorej vetëm katër shekuj më vonë nga Freudi dhe nxënësit e tij.
Mjekimi i shpirtit ishte parakushti për shërimin e korpit. Gjoni i Zotit i mblodhi bashkëpunëtorët e tij në një familje të madhe rregulltare, duke themeluar kështu, urdhrin e Vëllezërve të Spitaleve, që njihet më tepër si urdhri "Fatebenefratelli"- "Bëni- mirë- vëllezër". Shën Gjoni i Zotit ndërroi jetë pikërisht atë ditë kur mbushte 55 vjeç, më 8 mars 1550. U shpall shenjt më 1690. Papa Leoni XIII e deklaroi Pajtor të spitaleve e të atyre që punojnë për t'i kthyer shëndetin të sëmurëve.