Alda Merini: po të lë me Gjonin, Mari!
R.SH. / Vatikan
Alda Merini: Poema e Kryqit!
Po të lë me Gjonin Mari,
do të jetë yt bir i dashur:
me të do të rijetosh
fjalët edhe fëmijërinë,
lojërat e mia, e pafajësinë.
Gjoni i ndigjoi
rrahjet e zemrën sime,
e së bashku thyem bukën.
Tani pranë tij
do të copëtohem në një mijë pjesë
për t’i ushqyer të gjithë!
Korpi im do të bëhet kafshatë
e të uriturve dhe të eturve për drejtësi.
Unë, krenaria e krishterimit,
pranova të kryqëzohem para syve të tu!
Nuk me ke humbur,
as do t’më humbësh, Nënë!
Unë i jetoj në ty
çastet më të mira të fëmijërisë.
Se u rinova në krahët e tu,
e ti, në të mijtë.
Ti nuk do të thinjesh kurrë
do të jesh gjithnjë e re!
Po ta lë Gjonin pranë
si gjethe palme e shpresë
siç isha unë për ty!
Do të të jap puthjen nxehtë
të birit tënd
e lidhjen e pakëputshme të dashurisë
që nuk do të zgjidhet kurrë.
Mua, njeri i prekur nga dhembjet,
do të më duhet të ndeshem me djallin:
të përballoj epshin
dhe krenarinë e atij
që t’më poshtërojë dëshiron
deri në palcë.
Ky është kryqi, Mari,
flamuri i paqes së madhe,
që do të valvitet mbi botë!
Unë po të lë Gjonin,
që preku korpin tim,
dhe në Darkën e Fundit
e pa persekutorin!
Po e fali Judën,
ashtu si po të fal ty
që ende pa vdekur më qan!
I fal dhe ata, që më deshën
e të lë gjithçka, që s’e kisha,
por duke parë sytë e tu, Mari,
që janë plot lot
dhe flasin, pa u dëgjuar,
rininë time ndër to sot e shikoj!
Do të më shohësh rishtas, Mari,
Nuk do të të lë vetëm!
do te kthehem,
do te vij të të marr,
si të gjithë bijtë
që një nënë të re
e lanë të vejë!
Alda Merini “Poema e Kryqit”