Kërko

Qelitë boshe të burgut në Port-au-Prince   Qelitë boshe të burgut në Port-au-Prince  

Dhunë në Haiti: sulme burgjeve e shtetrrethim: me dhjetëra, viktimat

Natën ndërmjet së premtes dhe së shtunës, ishulli ishte skenë e ndeshjeve të reja. Bandat e armatosura që kontrollojnë kryeqytetin Port-au-Prince dhe rajonin perëndimor të vendit sulmuan dy institucionet e vuajtjes së dënimit në kryeqytet dhe disa komisariate. U shpall sakaq gjendja e jashtëzakonshme!

R. SH. - Vatikan

Në Haiti, dhuna dhe përleshjet e kryera nga bandat e armatosura që duket se kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit, vazhdojnë. Natën ndërmjet së premtes 1 dhe së shtunës 2 mars, të paktën një duzinë njerëzish u vranë gjatë sulmit nga bandat e armatosura në dy burgjet e Port-au-Prince,  sulm që çoi në arratisjen e rreth 4 mijë të burgosurve. Në shënjestër, disa stacione policore, ku gjetën vdekjen dhjetë oficerë. Kreu më me influencë i bandave në vend, Jimmy Cherizier, deklaroi se "donte ta çlironte vendin me armë dhe me njerëz" dhe u vu në krye të një mobilizimi të rëndësishëm antiqeveritar.

Shkaqet e protestave

Prej disa kohësh vendi është përfshirë në një atmosferë dhune, për shkak të veprimit të bandave kriminale që kontrollojnë zona të rëndësishme të kryeqytetit dhe qytetet kryesore të Haitit. Sipas OKB-së, kjo situatë  shkaktoi rreth 5 mijë vdekje vetëm në vitin 2023. Protestat, në veçanti,  janë kundër kryeministrit të Haitit, Ariel Henry, i cili akuzohet se vitin e kaluar nuk i organizoi zgjedhjet, siç kishte premtuar. Opozita kërkon dorëheqjen e tij, gjë që parashikohet edhe në marrëveshjen e nënshkruar më 21 dhjetor 2022. Protestat u dendësuan pas vizitës së kryeministrit Haitian Ariel Henry në Kenia, nga ku pritet fillimi i misionit të rimëkëmbjes së Kombeve të Bashkuara për rivendosjen e sigurisë në territor.

Haiti, alarmi i Unicef-it: të paktën 170 mijë fëmijë të zhvendosur për shkak të dhunës

Situata në Haiti prej disa kohësh është tejet e trazuar. Bandat kriminale kontrollojnë portin, kryeqytetin dhe kufirin. Popullsia vijon të jetojë në kushte të jashtëzakonshme varfërie dhe pasigurie. Moszbatimi i ligjit në vend jo vetëm që nxit vazhdimin e dhunës, por nuk lejon as ndërhyrjen në favor të civilëve, të cilët janë të detyruar të jetojnë të tmerruar nga sulmet kriminale dhe në kushte çnjerëzore, sidomos nga pikëpamja ushqimore dhe shëndetësore. Tetorin e kaluar vendi u trondit nga një valë e re kolere, ndërsa dështimi i ndërhyrjes së shërbimeve të pastrimit shkaktoi rindezjen e epidemisë. Për t'u marrë me situatën, që vijon të keqësohet, më 2 tetor 2023 Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një mision ndërkombëtar në mbështetje të qeverisë haitiane. Mision, që vijon të pritet prej kohe…

04 mars 2024, 16:30