Emërohen ambasadorët e OSHA-s për dialogun dhe paqen
R.SH. – Vatikan
Tre emërime për paqen dhe dialogun. Gjithçka filloi shtatë vjet më parë kur kryetari i Organizatës së Shteteve Amerikane, Luis Almagro, u takua me Papën Françesku dhe prej andej lindi ideja e platformës Amerika në Dialog-Shtëpia jonë e përbashkët, sipas një nisme që ipeshkvi i dikurshëm i Buenos Airesit, Jorge Mario Bergoglio, pati filluar në Argjentinë.
Tre ambasadorët
Emërimet e zyrtarizuara dje, gjatë një ceremonie në Uashington, e bartin këtë trashëgimi, ndërsa tre personalitetet që e morën këtë detyrë - rabini Daniel Ernesto Goldman, meshtari Guillermo Martín Marco dhe lideri islamik Omar Ahmed Abboud - do të kontribuojnë në punën e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi rëndësinë e dialogut ndërmjet feve në kontinentin amerikan.
Almagro kujtoi gjatë ceremonisë "nxitjen për thellimin e dialogut ndërfetar" dhënë nga Organizata e Shteteve Amerikane (OSHA), "me objektiv të veçantë promovimin e dialogut dhe të paqes në botë", nëpërmjet "konsolidimit të demokracisë përfaqësuese, parandalimit të shkaqeve të mundshme për vështirësi, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, që lindin ndërmjet shteteve anëtare dhe promovimit të drejtësisë dhe të sigurisë shoqërore”, quajtur nga Almagro ndër “qëllimet themelore të OSHA-s”.
Mesazhi i kardinalit Ayuso Guixot
Prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, shprehu, me një mesazh, urimet e tij për emërimet, duke nënvizuar kontributin e pasur, që mund të japin ambasadorët e rinj "për të ardhmen e shoqërisë dhe të gjithë botës”.