Festa e të Lumit dom Lazër Shantoja, prift e poet, martir
R.SH. - Vatikan
Më 5 mars Kisha katolike kremton festën liturgjike të Të Lumit shqiptar dom Lazër Shantoja, martir i Krishtit në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Si sot, më 5 mars 1945, u pushkatua martiri i Kishës katolike shqiptare, i Lumi dom Lazër Shantoja. Ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnor të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman e jo vetëm.
Dom Lazër Shantoja, në listën e martirëve shqiptarë, në rend kohor, qe meshtari i parë që u arrestua nga regjimi komunist në Shqipëri, në ditët e para të dhjetorit të vitit 1944, pak ditë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, dhe, tre muaj më vonë, qe meshtari i parë që u pushkatua. Martiri parë i një aradhe martirësh që për dashuri e fe ndaj Krishtit e ndaj Atdheun, flijuan jetën për Zot e popull.
I Lumi dom Lazër Shantoja (Shkodër, 02. 09. 1892- Tiranë, 02. 02 1946) meshtar e atdhetar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që nuk munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.
Na duket si t’i kish shkruar për vete vargjet, kushtuar atdhetarit në zë, Imzot Gjergj Kolecit: “Sot kështu t’ shpërblen ty bota! Po mizore/ e padrejta s’sundon deri në t’ sosun t’ motit./ Koh’ ka për t’ardhë që ty kjo tokë arbënore/ dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit”//.
Dom Lazër Shantoja jetoi në mërgim plot 15 vjet: stinën më të mirë të jetës së tij. Fliste, lexonte e shkruante latinishten e greqishten, gjermanishten, frëngjishten e italishten. Qe ndër të parët shqiptarë që mësuan esperanton. Por kujdesin më të madh e kishte për të përsosur shqipen, si mjeti i tij kryesor letrar e estetik. Mësoi shumë prej së ëmës, që e shoqëronte në ravgimet e mërgimit e që fliste një shkodranishte të përkryer, me ngjyrime të gjalla e fisnike. Vuante nga brenga për shqipen, nga malli për atdhenë e gjithçka lidhej me të.
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh mërgimi, Shantoja u kthye në Shqipëri në një kohë të zgjedhur keq. U vendos në Tiranë me nënën, librat e pianofortin. Si i internuar nga Zogu, u afrua me rrymat politike të periudhës së pushtimit italian. Po kjo periudhë nuk ka të bëjë me martirin e Krishtit, për të cilin po flasim. Nuk i takon gjyqit të Zotit, por të historianit!
Në dhjetor të vitit 1944, ndërsa jepte e merrte në shtypshkronjë me korrekturën e bocave të botimit të plotë të “Faustit”, u arrestua. E torturuan në mënyrë çnjerëzore. I thyen krahët, i sharruan eshtrat e këmbëve, e ai ecte duke u hequr zvarrë mbi bërrylat e gjunjët. Xhelatët e kuq, për terror psikologjik të dyanshëm, e lejuan të ëmën ta vizitonte dhe plaka e mjerë, duke e parë të birin në atë gjendje, iu lut rojeve të burgut: “Vritnje, keni mëshirë për tê e mos e leni me vuejtë ma kështu!”.
Dhe ata nuk vonuan ta vrisnin. E pushkatuan në fushat e shkreta të Tiranës, e flakën në një gropë pa emër, pa shenjë kryqi, duke shkruar me gjakun e tij një nga kapitujt më të turpshëm në librin e pashkruar të torturave, që komunistët nuk ngurruan të përdorin mbi kundërshtarët e vet, posaçërisht mbi klerikët, duke e ditur mirë se kishin përballë njerëz të armatosur vetëm me kulturë e uratë.
Shumë kanë bërë pyetjen: “Pse komunistët janë sjellë aq barbarisht me shkrimtarin e madh meshtar që, i shtyrë nga dashuria e pakufishme për atdhe, kishte lënë Zvicrën e begatë e të qetë, për t’u kthyer në mjerimin shqiptar, ku, kur e arrestuan, jetonte pa u impenjuar, në pragun e rrymave politike, që turbullonin vendin. Shpjegimi është vetëm një: komunistët shqiptarë, antiperëndimorë, antikristianë, e urrenin dom Lazrin që, i lidhur me traditat më të shëndosha autoktone, krijoi një vepër të përshkuar nga parimet e krishterimit e të qytetërimit më të kthjelltë perëndimor.
Gjenialiteti i tij, sa shqiptar, aq edhe kristian e evropian, i acaronte komunistët e në të njëjtën kohë, i frikësonte, mbasi në veprën e tij shikonin një instrument, që do të depërtonte lehtësisht në zemrat e njerëzve, sidomos të rinisë. Prandaj, si e torturuan, i dhanë një plumb në zverk.
Vepra i mbeti e hapërdarë nëpër të përkohshme të ndryshme, si “Ora e Maleve”,, “Përparimi”, “Agimi”, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Cirka”, “Grueja shqiptare”, “Illyria” e “Ora e Shqipnisë”, në një pritje të pafat gjysëmshekullore, derisa u bashkua në një vepër të vetme, titulluar “Vepra” (mars, 2002).
Por, duke u përpjekur për ta vrarë për herë të dytë me heshtje, lavdia e tij nuk humbet asgjë. Humbet e jona e humbje kanë letrat shqipe e kultura shqiptare, e cila i mohon dashtas vetes një varg gurësh të çmueshëm, që shndrit e zbukuron padyshim kurorën e letërsisë shqipe - sipas gjykimit të kritikut kosovar Shpend Shpata.
Qëndrimi që mbahet ende sot ndaj Shantojës, mund të shpjegohet vetëm me konkluzionin e hidhur në të cilin arriti Atë Gjon Shllaku në “Fatosave të harruem”: Tjetërkund njerëzit e idealit, në u vrafshin për së gjalli, nderohen për së dekuni. Ndër né ata vriten dy herë; edhe harrohen... Një komb që lindet ka nevojë për fatosa që desin. Por fatosat që desin nuk kanë ç’të bâjnë në një komb që i harron e i përbuzë”.