Kërko

I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi, ipeshkëv, poet e martir, gjatё persekutimit komunist nё Shqipёri I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi, ipeshkëv, poet e martir, gjatё persekutimit komunist nё Shqipёri

Festa e tё Lumit Imzot Vinçenc Prennushi, martir

I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi, françeskan, ipeshkëv, poet e martir, gjatё persekutimit komunist nё Shqipёri. U shpall i Lum në Shkodër,më 5 nëntor 2016, duke u paraqit nga Kisha Universale si ndërmjetësues pranë Hyjit dhe shembull i udhës ungjillore, për të gjithë besimtarët e krishterë. I Lumi Prennushi qe dëshmi drite në errësirën e ​​dhunës komuniste në Shqipëri

R.SH. - Vatikan

Më 19 mars Kisha katolike universale pёrkujton festёn liturgjike kishtare tё ipeshkvit martir të Lum, imzot Vinçenc Prennushi, në përvjetorin e vdekjes.

Nuk është e lehtë ta përmbledhësh me pak rreshta jetën aq të pasur të imzot Vinçenc Prennushit, kryeipeshkvit të Durrësit, që vdiq në burg si martir i Kishës së Krishtit e Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, më 19 mars 1949. Po mё tepёr mbi figurёn, shembullin dhe dёshmin e kёtij martiri tё jashtёzakonshёm tё Kishёs katolike tё Shqipёrisё, flet dom Gjovani Kokona:

Flet dom Gjovani Kokona

I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi

Imzot Vinçenc Prennushi lind në shtator 1885 dhe pagëzohet në famullinë Shentja Mari Magdalenë në Shirokë. Hyn në urdhrin françeskan të fretërve minorë në moshën 15-16 vjeç. Mbas bërjes së kushteve të përjetshme në Salcburg të Austrisë, aty edhe shugurohet më pas meshtar ditën e shën Jozefit në mars 1908. Kthehet më pas në Shkodër ku do të ketë detyra të shumta.

Cilësitë e tij njerëzore e të krishtera që bien në sy do bëjnë që kapitulli i provincës françeskane shqiptare për dy herë ta zgjedhë Ministër provincial. Zelli i tij apostolik, kultura e gjerë, mirësia e veçantë, maturia e pazakontë, saqë edhe muhamedanët e quajnë ‘melek’ (engjëll) bëjnë që të propozohet për Ipeshkëv. Dhe sërish do të zgjedhë ditën e shën Jozefit për shugurimin e tij ipeshkvor, si Ipeshkëv i Sapës. E pas 4 vitesh, më 1940 emërohet ariqpeshkëv iI Durrësit. Këtu do të qëndrojë deri në martirizimin e tij. E martirizimi i tij do të ndodhë po prapë ditën e shën Jozefit, më 19 mars 1949 ndërsa është i burgosur në burgun e Durrësit, në moshën 64-vjeçare.

E ashtu si shën Jozefi në heshtje, e si Zoja pranë kryqit, edhe arqipeshkvi Prennushi do ta mbyllë jetën tokësore pranë Kryqit që të ketë lavdinë e të Kryqëzuarit. Sot duam të përkufizohemi te shenjtëria e tij më shumë se te poezia e tij. Në lidhje me këtë aspekt të dytë mjafton të citojmë Enciklopedinë e njohur Treccani që thotë: “njëri prej shkrimtarëve më të njohur e më të vlerësuar shqiptarë”.

Duam të ndalemi te shenjtëria e tij sepse është pikërisht ky aspekt që i shtyu besimtarë të ndryshëm t’i kërkojnë Kishës që Monsinjor Prennushi të shpallej martir. Dhe siç e dimë, Kisha pas një periudhe hetimesh e verifikimi, e shpalli të Lumë më 5 nëntor 2016 gjatë kremtimit eukaristik në katedralen e Shkodrës, aty ku ai pikërisht ishte shuguruar ipeshkëv.

I Lumi Imzot Prennushi e përqafon këtë thirrje të veçantë të Krishtit për martir kohë përpara, kur populli ynë as nuk dinte se ç’është fjala komunizëm. Ai shkruan në një poezi, akoma përpara se të ishte ipeshkëv, këto vargje: “po, më mirë shtatë pash nën Dhe, se me bjerrun shenjten Fe”. Pra është pikërisht dashuria ndaj Krishtit dhe aplikimi praktik i kësaj dashurie që e bëjnë të gatshëm Imzot Prennushin të përjetojë poshtërimet e arrestimit të padrejtë në majin e vitit 1947 në moshën 62 vjeç, e ti nënshtrohet një gjyqi farsë i përbërë nga disa gjykatës të trashë e pa pikën e kulturës njerëzore e aq më pak kulturë drejtësie.

Pra në atë moshë jo të re, e me shëndet të brishtë, jo vetëm e arrestojnë por me tortura nga më të ndryshmet mundohen ta poshtërojnë. Për shembull e ngarkonin me dru në shpinë dhe e detyronin ti trasportonte në rrugë të tatëpjetë, e si Krishti shpesh rrëzohej nën peshën e druve. Për t’ia shtuar vuatjet e lenin në një qeli të ftohtë. Kujton prof. Arshi Pipa që qëndroi në burg me të se të burgosurit shpesh mundoheshin t’ja lehtësonin vuajtjet fizike duke ia masazhuar shputat e këmbëve ose duke u munduar të mbanin sa më gjatë të ndezur një zjarr të vogël.

Prof. Pipa shkruan në memoriet e tij: kur e sollën në qeli, prej torturave që i kishin bërë nuk qëndronte dot në këmbë. E kishin mbytur me të rrahuna, pastaj e kishin lidhur me një litar këmbësh e duarsh që i kalonte nëpër qafë dhe ashtu e mbanin të varur, si atë dashin që e kapin me çengel kur e çojnë në therrtore. E torturat nga më të ndryshmet i vuajti për dashurinë ndaj Krishtit dhe për të mirën e popullit të tij, tamam si ai bariu që jep jetën për grigjën.

Prandaj sot që po e përjetojmë figurën e tij duam të kujtojmë që me këtë akt Luminimi, Kisha na fton e na nxit që ne ti lutemi atij vazhdimisht dhe t’i kërkojmë ndërmjetësinë para Zotit për nevojat tona shpirtërore apo fizike. Ne mund ti lutemi edhe duke bërë një shtegtim te Kisha e Shën Luçisë në Durrës, aty te lteri i asaj Kishe ku prehen eshtrat e tij, por edhe nëpër shtëpitë tona. Nëse dikush prej jush e fiton një mrekulli, një shërim të pazakontë, falë lutjes të Lumit Vinçenc Prennushi, atëherë ta lajmërojë zevëndës-postulaturën pranë arqipeshkvisë në Shkodër.

E lusim Zotin që sa më shpejt Imzot Prennushi e 37 martirët e tjerë, falë ndonjë mrekullie që Zoti me ndërmjetësinë e tyre, do t’ja bëjë dikujt prej jush, këta martirë sa më shpejt të mund të shpallen Shenjtërit Martirë Vinçenc Prennushi me 37 shokët e tjerë.

Lutja drejtuar tё Lumit Imzot Vinçenc Prennushi :

Lutja për të kërkuar hire të nevojshme:

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Vinçenc Prennushi, arqipeshkëv e martir,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

19 mars 2024, 10:29