Kërko

Giovedì Santo, Gesù con i discepoli, lavanda dei piedi Giovedì Santo, Gesù con i discepoli, lavanda dei piedi

Java e Shenjtë e Pashkëve me ritet liturgjike

Gjatë Javës së Shenjtë të Pashkëve, Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe

R.SH. / Vatikan

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsg edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon e Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Jezu Krishti kreu gjestet më larta”.

Kështu, gjatë Javës së Shenjtë të Pashkëve, që sapo kemi filluar, Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe. Ngjarjet e Javës së Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për t’u pajtuar me Zotin dhe të afërmin.

Me të Dielën e Larit, që kremtuan të dielën e kaluar, nisi Java e Madhe dhe e Shenjtë e  Pashkëve. Në të gjitha Kishat katolike të botës u kremtua kjo e Diel e veçantë liturgjike, që përkujtoi hyrjen e ngadhënjimit mbretëror të Krishtit në Jerusalem dhe rrëfimin e mundimeve të Tij deri me kryqëzim dhe vdekje mbi Kryq.

Të Enjten, Kisha kremton të Enjten e Madhe të Pashkëve: Duke u nisur nga Papa, ipeshkvi i Romës e në çdo Kishë Katedrale katolike të botës, nga ipeshkvi vendor dioqezan, këtë ditë kremtohet Mesha e Bekimit të Vajrave të Shenjtë, që quhet Mesha e Bagmit. 

Fillon kështu Treditëshi i Shenjtë i Pashkëve, ai i Mundimeve dhe Ngjalljes së Jezu Krishti Zot, që është "kulmi i tërë vitit liturgjik" të Kishës. E ky treditësh i Shenjtë nis pikërisht të Enjten e Pashkëve me kremtimin e Meshën e Darkës së fundit të Krishtit, dhe gjen thelbin e kulmin e vet në Natën e pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Kështu, të Enjten e Madhe të Pashkëve, kremtohet Mesha e Darkës së Mbrame të Krishtit. Me këtë kremtim Eukaristik, që kremtohet në orët e mbrëmjes, Kisha kujton darkën e fundit të Jezusit me apostuj, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit Atë Korpin dhe Gjakun e vet nën trajtën e bukës dhe të verës, ua dha apostujve si ushqim dhe i urdhëroi ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë ngjarje në kujtim të Atij që po flijohej për shpëtimin e njerëzimit. Gjatë kremtimit të Eukaristisë së Shenjtë të Enjten e Pashkëve, pas liturgjisë së Fjalës Hyjnore dhe homelisë, kremtohet riti i larjes së këmbëve  dymbëdhjetë personave, apo besimtarëve.

Të Premten e Madhe të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e Fjalës së Zotit dhe ndalet në Adhurim të Kryqit të Jezu Krishtit. Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua për shëlbimin e njerëzimit me vdekjen mbi Kryq, Kisha, me meditimin e mundimeve të Jezusit Zot e Dhëndrit të vet dhe, me adhurimin e Kryqit - përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit mbi Kryq dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës. Po të Premten e Madhe të Pashkëve, në mbrëmje,  sipas traditës kremtohet "Udha e Kryqit" të Jezu Krishtit. Në Romë Udha e Kryqit mbahet pranë amfiteatrit romak Koloseut. 

Kremtimi më i rëndësishëm i tërë Vitit Liturgjik të Kishës, pra, festa themelore e fesë së krishterë, fillon të Shtunën e Shenjtë, kur kremtojmë Pashkët e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht. Të Shtunën e Shenjtë të Pashkëve, në nderim të Jezusit që dhuroi jetën e Tij për ne mbi Kryq, sipas një tradite shumë të lashtë, kremtohet Nata e Shenjtë e Ngjalljes së Krishtit me lutje dhe rite liturgjike që na kujtojnë pikërisht Natën në të cilën Krishti u Ngjall prej së vdekurish. Kjo Natë konsiderohet me të drejtë si "Nënë e të gjitha netëve". Këtë Natë të Shenjtë, Kisha rri zgjuar, në lutje dhe në pritje të kumtit të Ngjalljes së Krishtit Zot dhe atë e kremton me Sakramentet e zanafillës së krishterimit. 

Gjatë liturgjisë së Natës së Pashkëve bekohet zjarri i ri, më pas mbahet procesioni në Kishë me Dritën e Krishtit të Gjallë që simbolizon Qiriu i Pashkëve dhe kënga "Exultet". Posa procesioni me Qiriun e Dritës së Krishtit të Gjallë mbërrin te altari, fillon liturgjia e Fjalës së Zotit, vijon liturgjia e Sakramentit të Pagëzimit dhe Përforcimit (Krezmimit), e pastaj liturgjia Eukaristike.

Të Dielën kremtojmë Pashkët e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht. Me të Dielën e Pashkëve fillon "periudha koha gazmore e Ngjalljes”, e vijon koha e Shenjtë e Rrëshajëve, ose 50 ditshi i Pashkëve, në të cilën Kisha kremton praninë e Jezusit të Ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt Zot.

Mesha e Ditës së Pashkëve në Vatikan do të kremtohet në tremen e Bazilikës së shën Pjetrit, udhëhequr nga Papa i cili, sipas traditës, në përfundim të kremtimit do të japë bekimin apostolik "Urbi et Orbi" - "Romës e Botës.

Si duhet të përgatitemi për Treditëshin e Pashkëve

Me shumë fe, me shumë vëmendje, me pjesëmarrje në kremtime e ndjekjen e kujdesshme të teksteve biblike që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe të Pashkëve përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: mundimi, vdekja e Ngjallja e Jezu Krishtit. Kush e ndjen me fe e në shpirt Javën e Madhe, e kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë tonë të krishterë.

26 mars 2024, 11:36