Letër e Nënë Terezës drejtuar grave
R.SH. - Vatikan
Kremtohet sot Dita Ndërkombëtare e Gruas, me nisma nga më të ndryshmet, në mbarë botën. Po në këtë Ditë ndërkombëtare të Gruas, po propozojmë, në mënyrë të përmbledhur, Letrën që Nënë Tereza u pati drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës së IV të OKB-së mbi të drejtat e gruas, mbajtur në Pekin në gushtin e vitit 1995. Në këtë konferencë morën pjesë 5.307 delegatë zyrtarë e 3.824 përfaqësues të OJC, të cilëve duhet shtuar 3.200 operatorët e mediave e 4.041 gazetarë të ardhur nga 124 shtete të mbarë botës.
“…Më duhet të them se nuk arrij të kuptoj se përse disa pohojnë se burri e gruaja janë saktësisht të barabartë, duke mohuar kështu bukurinë e diversitetit që ekziston midis burrit e gruas.
Dhuratat e Zotit janë të gjitha të mira, por jo domosdoshmërisht të njëjta. I përgjigjem shpesh kujtdo që më thotë se i pëlqen t’i shërbej të varfërve ashtu siç i shërbej unë: “Atë që bëj unë nuk jeni të aftë ta bëni ju. Atë që bëni ju nuk jam e aftë ta bëj unë, por ju e unë së bashku, mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin. Kjo vlen dhe për diferencat midis gruas e burrit.
Zoti krijoi secilin prej nesh, çdo qenie humane, për diçka të madhe: të duash e të të duan. Përse Zoti i krijoi burrat e gratë? Sepse dashuria e një gruaje është një nga fytyrat e dashurisë së Zotit. Dashuria e një burri është një tjetër fytyrë e të njëjtës dashuri.
Burri e gruaja janë krijuar për të dashuruar, por secili në mënyrë të ndryshme: burri e gruaja plotësojnë njëri-tjetrin e të dy së bashku shfaqin dashurinë e Zotit shumë më mirë se sa mund ta bënin të ndarë. Kjo fuqi speciale dashurie që kanë gratë nuk është kaq evidente se sa kur ato bëhen nëna.
Qenia nënë është dhurata që Zoti i bën gruas. Sa mirënjohës duhet t’i jemi Zotit për këtë dhuratë që sjell me vete gëzim të madh për një botë të tërë, si për burra dhe për gratë. E këtë dhuratë kaq speciale ne mund ta shkatërrojmë me të keqen e abortit, por dhe me anë të faktit se mendojmë se ka gjëra më të rëndësishme se sa dashuria.
Asnjë punë, asnjë program karriere, asnjë zotërim material, asnjë ide “lirie” mund të zëvendësojë dashurinë. Gjithçka që shkatërron dhuratën e të qenit nënë, që është një dhuratë e Zotit, shkatërron dhuratën më të çmuar që ky Zot i bën grave, atë të dashurisë si grua.
Zoti na ka thënë: “Duaje tjetrit si vetveten”. Por deri sa nuk duam veten si mund të duam tjetri me të njëjtën mënyrë. Por si mund të dua veten kur nuk pranoj si Zoti më ka bërë?
Kushdo që mohon bukurinë e diferencës midis burrit e gruas, nuk pranojnë se si Zoti u ka bërë e pra nuk mund të duan dot tjetrin. Ata nuk mund të sjellin gjë tjetër veçse ndarje, hidhërim e të shkatërrojnë paqen në botë. E aborti shkatërron më shumë se gjithçka paqen në botë sot. E gjithkush që absolutisht kërkon që gruaja e burri të jenë të njëjtë janë të gjithë të favorshëm ndaj abortit.
Në vend të dhimbjes e vdekjes le të sjellim paqen e gëzimin në botë. Për këtë qëllim duhet t’i kërkojmë Zotin dhuratën e paqes e të mësojmë të duhemi e të pranojmë njëri-tjetrin si vëllezër e motra, bijtë e Zotit.
E dimë se ambienti më i mirë ku fëmija mëson të dojë e të lutet është familja, ku babai e nëna është dëshmitari më i mirë i dashurisë e i lutjes. Aty ku ka një krisje apo një ndarje të familjes, shpesh herë fëmijët rriten pa ditur se ç’do të thotë dashuri e lutje.
Një vend me shumë familje të tilla të shkatërruara ka padyshim mjaft probleme. Shpesh kam qenë dëshmitare e faktit, e veçanërisht në vendet e pasura, se fëmijët kërkojnë shpëtim tek droga o në gjëra të tjera në momentin kur duhet të përballojnë indiferencën e familjes.
Nga ana tjetër, kur familjet janë të forta e të bashkuara, fëmijët janë në gjendje të shohin në dashurinë e nënës e të babait dashurinë speciale që Zoti ka për ta e mund të arrijnë ta bëjnë vendin e tyre, një vend ku dashurohet e lutet.
Fëmija është dhurata më e bukur që Zoti mund t’i bëjë familjes: e ky ka nevojë për nënë e babanë, pasi si njëri e tjetri i manifeston dashurinë e Zotit në mënyrë speciale.
Një familje që lutet së bashku, janë së bashku e kur janë së bashku duan njëri-tjetrin ashtu si Zoti i ka dashur të gjithë e secilin. E veprat e dashurisë janë gjithmonë vepra paqeje.
E le të ruajmë në zemrën tonë gëzimin për të dashuruar e ta ndajmë këtë gëzim me të gjithë ata që gjenden në rrugën tonë…”