Treditëshi Pashkëve, na fton të ndërtojmë, me Zotin, një botë më të mirë
R.SH. - Vatikan
Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për të dashur.
Me të Enjten e Madhe e të Shenjtë, e njohur edhe si e Enjtja e Mistereve, fillon Treditëshi i Pashkëve, që arrin kulmin në vigjiljen, natën e Pashkëve dhe pastaj përfundon me Mbrëmësoren e dytë të së Dielës së Ngjalljes së Krishtit, të Dielën e Pashkëve. Dita e Enjtes së Shenjtë të Pashkëve është e rezervuar për dy kremtime të veçanta, kremtimi parë bëhet në Kishat katedrale të dioqezave, sot paradite, për shugurimin Vajrave të Shenjta, bekimi i vajit të të sëmurëve, bekimi i vajit të katekumenëve dhe shugurimi i Krizmës që do të përdoret gjatë gjithë vitit të ardhshëm për Sakramentet e Pagëzimit, Krezmimit apo Përforcimit dhe Urdhrit të Shenjtë, dhe tre vajrat e tjera që përdoren për pagëzimin, vajosjen e të sëmurëve dhe për vajosjen e katekumenëve. Kremtimin e kësaj liturgjie solemne e kryeson ipeshkvi dioqezan, rreth të cilit mblidhen priftërinjtë dhe diakonët, të cilët në pasdite kthehen në famullitë e tyre kishtare për të kremtuar Meshën e mbrëmjes të Enjtes së Pashkëve, Meshën "in Coena Domini" – “Meshën e Darkës së Zotit Jezu Krishti me apostujt”.
Pra, Treditëshi është, këtë javë të madhe të Pashkëve, në qendër të vëmendjes në kremtimet liturgjike të Kishës, kremtime që janë kulmi i tërë vitit liturgjik, sepse përkujtojnë e kremtojnë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit - Shëlbuesit të njerëzimit. Kisha, që do të kremtojë, si çdo vit, ritet qendrore të Javës së Madhe të Pashkëve, na fton të reflektojmë mbi tri ditët e shenjta që – siç nënvizuam – përbëjnë thelbin e vitit liturgjik.
Janë 72 orët në të cilat, më shumë se kudo, feja e krishterë gjen arsyen më të thellë të qenies së vet. Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve, janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe e mirësi.
E Enjtja e Madhe, me Jezusin që na e dhuron plotësisht vetveten, duke na lënë Eukaristinë; e Premtja e Madhe, me dramën e Udhës së Kryqit e të Kalvarit të Jezu Krishtit; e Shtuna e Madhe, me heshtjen e thellë të varrit të Jezu Krishtit.
Secila nga tri ditët e mëdha të kësaj Jave të jashtëzakonshme të Pashkëve, na sjell kuptimin e thellë të jetës dhe të veprës shëlbimprurëse të Jezu Krishtit, si për shembull Mundimet e Krishtit me simbolin e tyre, Kryqin, që na flet për vdekjen dhe për shëlbimin.
Në misterin e Jezu Krishtit të Kryqëzuar, përmbushet ai kthim i Zotit kundra vetvetes, në të cilin ai dhurohet për ta ngritur përsëri njeriun e rrëzuar e për ta shpëtuar, dashuri kjo, e shprehur në formën e saj më rrënjësore. “Kryqi i Krishtit, shkruan Shën Leoni i Madh, është burim i të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve”.
Në se e Premtja është dita e Kryqit, e Enjtja mbyllet me Adhurimin që i çon të krishterët pranë Jezusit, i cili lutet në kopshtin e Gjetsemanit, i vetëm. Kjo ishte për Të ora e braktisjes dhe e vetmisë, në sa nxënësit nuk qenë të zotët të rrinin zgjuar e të ruanin Mësuesin Hyjnor.
Edhe sot Zoti na thotë: “Rrini zgjuar e ruani me mua”, në sa shikojmë se edhe ne, nxënësit, besimtarët, shpesh të flejmë. Jehon në këtë ditë në veshët tonë fjala e Krishtit Zot: “Rrini zgjuar e vigjiloni së bashku me mua!”. Pak ditë para Pashkëve, rruga pendestare që përshkon çdo i krishterë, duke rijetuar skenat e Mundimeve të Krishtit, duhet ta çojë në një çast pendese e pajtimi me Zotin, përmes Sakramentit të Rrëfimit a të Pajtimit.
Të përgatitesh për Pashkë me një rrëfim të mirë mbetet detyrë e rëndësishme, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Ngjallurit e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i Ngjallur. Falja e tij, që na dhurohet përmes Sakramentit të pendesës, është burim i paqes së brendshme e të jashtme e na bën apostuj të paqes në një botë ku, për fat të keq, vijojnë përçarjet, vuajtjet, dramat e padrejtësisë, të urrejtjes e të dhunës, të paaftësisë për t’u pajtuar e për të rifilluar jetën e re me faljen e sinqertë.
Ngjallja e Tij na jep sigurinë se pavarësisht nga errësira e dendur e së keqes në botë, fjala e fundit nuk i takon së keqes. E, të mbështetur në këtë siguri, ne mundemi, me guxim e entuziazëm, të impenjohemi për të ndihmuar në lindjen e një shoqërie dhe të një bote më të drejtë e më njerëzore këtu, në tokë.