Shenjtorët e javës - Java e Madhe e Pashkëve
R.SH. / Vatikan
E diel 24 mars, Kisha katolike romake kremton të Dielën e Larit apo të Luleve dhe të Mundimeve të Jezu Krishtit.
Me këtë Diele të Larit të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, për Kishën katolike fillon Java e Shenjtë ose Java e Madhe e Pashkëve, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë. Pra përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje dhe momente ngushtë të lidhura mes tyre: përkujtimin e hyrjes së Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij udhës së kalvarit. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës.
Të hënë e Madhe të Pashkëve, më 25 mars, është Dita e Parë e Javës së Madhe së Shenjtë të Pashkëve, e meditojmë mbi faktin se Krishti Zot është drita dhe shpëtimi ynë. Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë, i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet.
Të Martën e Madhe të Pashkëve, më 26 mars, të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Zoti. Parashikimi që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbramë, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë me zjarr Besojmen e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme.
Të Mërkurën e Madhe të Pashkëve, më 27 mars, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Zotit Atë dhe vëllezërve.
Me të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 28 mars, fillon Treditëshi i Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbramë. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike, ashtu si Apostujt në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit Jezu Krisht.
Të Premten e Madhe të Pashkëve, më 29 mars gjunjëzohemi para Kryqit të Jezu Krishtit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të. Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Jezu Krishtit është dëshmia më e madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregoi se askush nuk e humb dinjitetin para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë keqbërës.
E Shtuna e Madhe e Pashkëve më 30 mars, karakterizohet nga Heshtja e Zotit, Nata e lutjes në pritje të Ngjalljes së Jezu Krishtit. U deshën fjalët e dy burrave të veshur me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut se Krishti ishte Ngjallur. Mahnitja e tre grave te varri i zbrazët i Jezusit duhet të na e hapë edhe ne zemrën për të dëshmuar në botë vërtetësinë e asaj ngjarjeje.
Të dielën e ardhshme më 31 mars, kremtojmë të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Alelluja! Kjo është Dita e Krishtit Zot! Në këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’i japim njëri-tjetrit, së bashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u Ngjall, me të vërtetë u ngjall! Alelluja!”