Kërko

Giovedì santo, Lavanda dei piedi, Giotto, Cappella Scrovegni, 1304-1306 Giovedì santo, Lavanda dei piedi, Giotto, Cappella Scrovegni, 1304-1306

Treditëshi Pashkëve, zemra e fesë së krishterë

Kremtimet e Triditshit të Pashkëve janë thelbi dhe zemra e tërë fesë sonë të krishterë dhe pika themelore e tërë Vitit të Liturgjisë kishtare, e cila na dëshmon veprën e Shëlbimit dhe të Lavdërimit të përsosur të Hyjit Atë realizuar plotësisht nga Jezu Krishti, përmes flijimit të jetës vet mbi Kryq dhe Ngjalljes nga vdekja

R.SH. - Vatikan

Sot me të Enjten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, e njohur edhe si e Enjtja e Mistereve, fillon Treditëshi i Pashkëve, që arrin kulmin në vigjiljen, natën e Pashkëve dhe pastaj përfundon me Mbrëmësoren e dytë të së Dielës së Ngjalljes së Krishtit, të Dielën e Pashkëve. Pra, që sot, e Enjtja e Javës së Madhe, filloi Triditshi i Pashkëve, kulm i vitit liturgjik dhe i jetës së Kishës, kohë përgatitjeje për Pashkët e Jezu Krishtit.

Misteret që kremtojmë në ritet liturgjike këtyre tri Ditëve të Shenjta të Pashkëve janë përmbajtja thelbësore, burimi dhe rrënja e të vërtetave e vlerave më të larta të krishtera. Me pak fjalë, kremtimet e Treditëshit të Pashkëve janë thelbi dhe zemra e tërë fesë sonë të krishterë dhe pika themelore e tërë Vitit të Liturgjisë kishtare, e cila na dëshmon veprën e Shëlbimit dhe të Lavdërimit të përsosur të Hyjit Atë realizuar plotësisht nga Jezu Krishti, përmes flijimit të jetës vet mbi Kryq dhe Ngjalljes nga vdekja.

Me Misterin e Pashkëve, do të thotë me Mundimet, Vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Tij, Jezu Krishti e ka zhbi e asgjësuar vdekjen duka na çliruar nga robëria e të keqit e mëkatit dhe duke ne ripërtëri jetën. Ngjarjet dramatike që paraprijnë e pasojnë Mundimet e Jezu Krishtit na krijojnë mundësinë të rikuptojmë, në heshtjen e shpirtit, se flijimi i Jezusit është qendra e jetës sonë, në një botë ku ndjehet fort inflacioni i fjalëve. Ky është një nga mendimet e Kishës që u drejton besimtarëve, gjatë riteve të shenjta të Treditëshit të Pashkëve.

Fillon me një Natë, në të cilën dielli ka përendur jo vetëm mbi tokë, e përfundon me agimin e një dite, ndriçimi i së cilës ia kalon atij të diellit. E ndërmjet këtyre dy skajeve kohore, ri-jetojmë atmosferën dramatike të Mundimeve të Krishtit që përfundojnë Natën e Pashkëve me britmën e fitores: “Krishti u ngjall, vdekja u mund!”. Me këto figura dhe ngjyrime, Kisha na prinë në misteret e Treditëshit të Pashkëve që nisi me të Enjten e Madhe, kur ndodhen ballë për ballë Jezusi dhe Juda. Takohen, jo rastësisht, natën. Kur tradhtari largohet nga Çenakulli, në shpirtin e tij dyndet errësira – nata e shpirtit, në sa në shpirtin e dishepujve të tjerë, hutimi. Edhe ata shkojnë drejt natës, në sa hijet e braktisjes e të urrejtjes bëhen gjithnjë më të dendura mbi Birin e Njeriut që niset për t’u flijuar mbi kryq.

Ngjarja që do të rikujtojmë në ditët e ardhshme është ndeshja më e rreptë ndërmjet Dritës dhe Errësirës, ndërmjet Jetës e Vdekjes. Duhet ta ndjejmë veten të pranishëm në këtë ngjarje, të vetëdijshëm për natën tonë, natën e fajeve tona e të përgjegjësive tona, në se duam ta jetojmë me përfitim shpirtëror Misterin e Pashkëve, në se dëshirojmë të fitojmë dritën e zemrës përmes këtij Misteri, që përbën thelbin e fesë sonë”.

E Enjtja e Madhe është dita e emocioneve për meshtarët, dita në të cilën Jezusi, në një farë mënyre, përjeton vdekjen e tij në copën e bukës së Eukaristisë së parë. Por të njëjtët dishepuj që e rrethojnë në këtë çast të fortë bashkimi kishtar, pak më vonë, në orën e agonisë së Mësuesit Hyjnor, do të zhyteshin në gjumë të thellë, gjumë që nuk është i panjohur as për të krishterët e ditëve tona. Shohim se nxënësit fjetën, duke e lënë Zotin vetëm. Edhe ne sot shpesh herë flemë, ne, nxënësit e tij. Në këtë natë shenjte të Gjetsemanit dëshirojmë të rrimë zgjuar, nuk duam ta lëmë Zotin vetëm.

Lutja, shoqëruar me pendesë e agjërim është tipari kryesor i së Premtes së Madhe të Pashkëve. Skena e Kalvarit, e rrëfyer nga Liturgjia, sipas fjalëve të Gjon Krizostomit, e paraqet Kryqin sa si simbol të dënimit, aq edhe si burim të paqes. E historia e pabesisë njerëzore, e cila e çon Krishtin drejt vdekjes, ri-kujtohet hap pas hapi në Udhën e Kryqit, që e mëson të krishterin ta shikojë Krishtin me sytë e zemrës e të dashurisë, ashtu si bëhet të Premten e Madhe të Pashkëve nëpër Kisha e vende të ndryshme.

Pastaj vjen e Shtuna e Madhe e Pashkëve që është ditë e heshtjes. E Shtuna e Madhe është dita në të cilën liturgjia hesht, dita e heshtjes së madhe, e të krishterët ftohen ta kalojnë në lutje. Në inflacionin e fjalëve që dëgjojmë sot, është ditë tepër e nevojshme kjo ditë heshtjeje. Shën Gregori i Madh një herë pati thënë: ‘Duke mos folur, mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”.

Nata e Pashkëve, me ritet e veta të bekimit të ujit e të zjarrit dhe me shpalljen e Ngjalljes së Krishtit, bën të shndrisë fytyra gjithnjë e re dhe e bukur e Kishës, e cila u kujton besimtarëve se Treditëshja e Pashkëve nuk është kujtim i realitetit të së kaluarës, por është realitet aktual. Krishti edhe sot, me dashurinë e tij fiton mbi mëkatin e mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë fjalën e fundit. Në fund të fundit do të ngadhënjejë Krishti, e vërteta, dashuria. Në se jemi gati të vuajmë e të vdesim me Të, siç na tregon shën Pali Natën e Pashkëve, jeta e Tij do të bëhet jeta jonë. Mbi këtë siguri, që është Ngjallja e Krishtit,mbështetet dhe ngrihet jeta jonë e krishterë.

28 mars 2024, 09:29