Kërko

RUSSIA-POLITICS-VOTE RUSSIA-POLITICS-VOTE

Dronë ukrainas, ditën e fundit të votimit në Rusi

Sipas të dhënave të publikuara nga Moska, pjesëmarrja e votuesve e ka kaluar 61%. Duket edhe se kishte mbështetje të lartë për thirrjen "mesdita kundër Putinit", nisur prej burgut nga kundërshtari Navalny pak para vdekjes. 35 dronë ukrainas u rrëzuan në tetë rajone ruse

R.SH. / Vatikan

Dita e tretë dhe e fundit e votimit për zgjedhjet presidenciale në Rusi ku, sipas të dhënave të publikuara nga Moska, pjesëmarrja kombëtare kaloi 61.00%. Ndërkohë, nga pamjet që publikojnë mediat e pavarura si Moska Times, duket se ka një nivel të lartë mbështetjeje për të ashtuquajturën thirrje "mesditë kundër Putinit", nisur nga burgu pak para vdekjes prej kundërshtarit Aleksei Navalny dhe vijuar nga e veja e tij Julia e shumë kundërshtarë të tjerë të regjimit të Moskës, që ndodhen jashtë vendit ose në Rusi. Videot tregojnë radhë të gjata njerëzish, që presin jashtë qendrave të votimit në qytetet e Moskës dhe të Shën Petersburgut. Nisma  e parashikonte pjesëmarrjen masive në fund të zgjedhjeve, në mesditë (ora 10:00 në Itali) për të votuar për cilindo nga kandidatët dhe për të krijuar radhë në qendrat e votimit.

Ndërkohë, 35 dronë ukrainas u rrëzuan në tetë rajone ruse. Këtë e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Moskës. Sipas saj, sulmi më i rreptë ishte ai i rajonit jugor të Krasnodarit, ku u godit një rafineri. Sipas deklaratave të liderit të administratës ruse të Zaporizhzhias, Vladimir Rogov, dy dronë ukrainas goditën edhe një qendër votimi, duke shkaktuar zjarr, por jo viktima.

Mbrojtja kundërajrore është në veprim pranë aeroportit të Moskës. Kryebashkiaku i kryeqytetit Serghei Sobyanin sot në mëngjes njoftoi  me Telegram rrëzimin e një droni të drejtuar drejt Moskës në lagjen jugore urbane Stupino. Ky është droni i katërt i nisur nga Ukraina drejt Moskës.

16 mars 2024, 19:02