Zi kombëtare në Rusi, vendi derdh lot për viktimat, por bombardon Ukrainën
R.SH. – Vatikan
Një vend i tërë në zi, për viktimat dhe familjet e tyre. Rusia u zgjua, më pak se 48 orë pas atentatit, ende e tronditur nga sulmi në sallën e koncerteve Crocus City Hall, në periferinë veriperëndimore të Moskës, më i përgjakshmi në vend gjatë njëzet viteve të fundit, me 133 të vdekur, ndër të cilët edhe tre fëmijë, si edhe 152 të plagosur. Atentati u mor përsipër nga i vetëquajturi Shtet Islamik, Isis. Sulm "i përgjakshëm dhe barbar", sipas presidentit Vladimir Putin, i cili iu drejtua qytetarëve me një fjalim televiziv disa orë pas masakrës, duke shpallur një ditë zie kombëtare për sot, e diel, si edhe duke parashikuar masa shtesë kundër terrorizmit dhe sabotazhit në kryeqytetin rus.
Zi në Rusi
Gjatë orëve të fundit, në qytete të ndryshme të Rusisë, janë mbajtur veprimtari përkujtimore e, para sallës së koncerteve, njerëzit shkojnë pandërprerë për homazhe, por ka edhe nga ata, që ende pyesin me dëshpërim për të afërmit e tyre të zhdukur, të cilët kërkohen mes rrënojave nga ekipet e shpëtimit. Lule dhe pellushe vendosen para sallës së djegur të koncerteve. Agjencia shtetërore e lajmeve Novosti njofton se të gjitha ngjarjet kulturore janë anuluar, se flamujt janë ulur dhe se transmetimet televizive dhe reklamat janë pezulluar.
SHBA: Isis, i vetmi përgjegjës
Ndërkaq, vijojnë reagimet ndërkombëtare. SHBA-të, duke dënuar me vendosmëri sulmin, përsërisin - siç është bërë edhe nga vendet e tjera - se Isisi mbetet i vetmi përgjegjës për masakrën, duke përjashtuar çdo përfshirje të Ukrainës në të. Në fillim të marsit, Uashingtoni i pati dhënë disa informacione Rusisë për rrezikun e atentateve kundër Moskës, duke u kërkuar kujdes në lëvizje qytetarëve amerikanë, të pranishëm në kryeqytetin rus.
Putin akuzon Ukrainën
Autoritetet ruse arrestuan katër nga atentatorët të shtunën, duke e çuar në 11 numrin e personave të burgosur, të gjithë të huaj, që mendohet se janë përfshirë në atentat. Sipas presidentit Putin, përgjegjësit po përgatiteshin të iknin në Ukrainë, përmes një "dritareje" hapur enkas për ta në anën ukrainase të kufirit. Kyiv mohon me vendosmëri se qëndron pas sulmit, për të cilin e mori përgjegjësinë një degë e grupit islamik në Afganistan, duke publikuar fotografitë e katër atentatorëve dhe duke e quajtur atentatin pjesë të "luftës së furishme" kundër armiqve të Islamit.
Sulmi kundër Kyivit dhe Lvivit
Pavarësisht nga zia kombëtare, gjatë natës së djeshme, presidenti rus Putin nisi një sulm ajror kundër Ukrainës me 14 bombardues strategjikë Tu-95MS, ndërsa Varshava denoncoi shkeljen e hapësirës së saj ajrore dhe i kërkoi Moskës shpjegime. Alarmi ajror zgjati më se dy orë dhe disa raketa u hodhën në drejtim të Kyivit dhe Lvivit në Ukrainën perëndimore. Mbrëmë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati deklaruar se Putin po përpiqej t’ia hidhte fajin për atentatin Kyivit. "Në vend që t’u flasë qytetarëve të tij rusë, t'u drejtohet atyre - shkroi Zelensky në Telegram – Putin heshti për një ditë, duke menduar si ta lidhte gjithçka me Ukrainën". Edhe në nivelin ndërkombëtar, mendohet se Moska mund të fillojë raprezalje e atentati të kthehet në pretekst për shkallëzimin e dhunës.