Kërko

Santa Maria Bernardetta Soubirous Santa Maria Bernardetta Soubirous

Më 16 prill kalendari kujton Shën Bernardetën Subirù

Nga njëra anë Shën Bernardeta Subiru është një ikonë e një fesë popullore të rrënjosur në zemër, nga ana tjetër ajo na kujton se sa e vështirë është të komunikojmë madhështinë e misterit të dashurisë së Zotit. Shën Bernardeta është dëshmitare e dashurisë së Zotit që shëron. Vendi që ruan trashëgiminë e saj shpirtërore është një vend i shenjtë kushtuar dinjitetit të njeriut, një kopsht shprese i ruajtur nga Pirenejtë, Lurda.

R.SH. - Vatikan

Mё 16 prill kalendari kishtar përkujton Shën Bernardetën Subirů, bijë e një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve, në Francë. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera. Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës, ku barinjë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata.

Papritmas ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari. 

- Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer”. Mrekullia e dukjes së parë, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje absolute ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858.

Në thjeshtësinë e saj, përvoja e fesë sjell me vete edhe një përgjegjësi të madhe: t'i shpjegojë botës atë që beson. Dhe bota nuk humbet kurrë rastin e mundësinë për të treguar gjithë dhunën e saj edhe përballë shenjave më të mëdha të mbinatyrshme. Kështu, nëse nga njëra anë Shën Bernadeta Subiru është një ikonë e një fesë popullore të rrënjosur në zemër, nga ana tjetër ajo na kujton se sa e vështirë është të komunikojmë madhështinë e misterit të dashurisë së Zotit.

Pas dukjeve të Zojës Bekueme, Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë të jetës rregulltare. Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj të ligësht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.

16 prill 2024, 10:05