Më 2 prill kalendari kujton Shën Françeskun nga Paola, vetmitar
R.SH. / Vatikan
Më 2 prill kalendari kishtar kujton Shën Françeskun nga Paola, vetmitar dhe themelues i Urdhrit të Minimëve (Urdhrit të Vegjëve), që jetoi në shekullin e 15-të. Një jetë e "mrekullishme", shenja më e madhe e së cilës ishte aftësia për të prekur zemrat e të fuqishmëve të pushtetshmëve pa humbur thirrjen e thellë të përulësisë. Ky është profili i Shën Françeskut të Paolës, themeluesit të Urdhrit të Minimëve.
Shën Françesku nga Paola, u lind në Paola, Cosenza, Itali, më 27 marzo 1416 - ndërroi jetë në Plessis-les-Tours, Francë, më 2 prill 1507. Hyri në urdhrin françeskan, por pas një viti doli nga kuvendi dhe bëri një sërë shtegtimesh, për të kërkuar, me anë të tyre, thirrjen e vet. Vendosi të bëhej vetmitar dhe u vendos në Paola, afër Kozencës, në Kalabri, në një tokë që ishte pronë e familjes.
Shumë shpejt filluan të shkonin tek ai njerëz që donin ta kishin si udhërrëfyes shpirtëror, prandaj iu desh të themelonte disa vende oshënarësh dhe kështu lindi kongregata vetmitare paoline, e quajtur edhe Urdhri i të Vegjëve. Urdhri u miratua shpejt, falë famës së Françeskut si mrekullibërës. Mrekullive të tij u shkoi zëri deri në Francë, në oborrin e Luigjit XI, që ishte i sëmurë.
Mbreti Luigji XI i kërkoi Papës Siksti IV t’ia dërgonte Françeskun tek kryet e shtratit. Shenjti iu bind Papës, edhe pse iu desh të linte me dhimbje vendin e tërheqjes në vetmi për të hyrë në një oborr mbretëror, por bindja i dha frytet e veta. Luigji XI nuk u shërua, por Françesku u bë ndërmjetës për përmirësimin e marrëdhënieve të Francës me papatin. Vdiq në Tur të Francës më 2 prill 1507.