Kërko

San Sisto I, Basilica di san Paolo fuori le mura San Sisto I, Basilica di san Paolo fuori le mura

Më 3 prill kalendari kujton shën Sikstin I, Papë

Shën Sikstin I, Papa i shtatë i Romës, qe në krye të Kishës në periudhën ndërmjet viteve 117/119 – 126/128. Trashëgimia e tij është në gjestet aktuale të liturgjisë së Meshës si 'Sanctus' 'Shenjt, shenjt, shenjt'. Papnia e tij pa një periudhë tolerance relative nga ana e perandorit ndaj të krishterëve, megjithëse persekutimet nuk ishin shfuqizuar aspak.

R.SH. - Vatikan

Shën Sikstin I, Papë, ishte ipeshkvi i shtatë i Romës, edhe ai me prindër romakë, qe në krye të Kishës në periudhën ndërmjet viteve 117/119 – 126/128.

Kremtimi i fesë është gjesti përmes të cilin e njeh vetveten e gjithë bashkësia e krishterë, por është edhe momenti nga i cili ushqehet jeta e Kishës. Kjo është arsyeja pse t'i japësh formë ritit liturgjik disi do të thotë t'i japësh një fytyrë konkrete Kishës dhe komunitetit të besimtarëve përpara botës.

Dhe Shën Siksti I, pasardhësi i gjashtë i Pjetrit për rreth një dekadë midis viteve 117 dhe 128, mbahet mend pikërisht sepse atij i njihet merita e vendosjes së disa normave të rëndësishme në liturgjinë që kanë ardhur deri tek ne ndër shekuj. Për shembull, shtesa e "Sanctus" në ritin e Meshës daton prej tij.

Kështu, gjatë papnisë së tij, miratoi tri norma: së pari, askush përveç shërbëtorëve të kultit, nuk mund të prekë kelkun dhe patenën gjatë shugurimit të bukës e të verës nё kremtimin e Eukaristisё; së dyti, ipeshkvijtë që vinin në Selinë e Shenjtë duhej të ktheheshin në dioqezën e tyre me një letër apostolike, ku pohohej bashkimi i tyre i plotë me pasardhësin e Shën Pjetrit - Papën; së fundi, gjatë Meshës, pas hyrjes së lutjes eukaristike meshtari duhet të thotë “Shenjt, shenjt, shenjt…” së bashku me asamblenë e besimtarëve.

Gjatë papnisë së Sikstit I dolën në pah divergjencat e para ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishave të Lindjes, sepse, ndërsa këto të fundit kremtonin Pashkët, festa nuk ishte vendosur akoma në Perëndim. Papës romak i atribuohen dy letra, njëra për doktrinën e Trinisë Shenjte dhe tjetra mbi primatin e ipeshkvit të Romës. Të dyja konsiderohen apokrife. Papnia e tij pa një periudhë tolerance relative nga ana e perandorit ndaj të krishterëve, megjithëse persekutimet nuk ishin shfuqizuar aspak.

03 prill 2024, 10:02