Kërko

Më 4 prill kalendari kujton të Lumin at Karl Serreqin, ofm, martir

I Lumi At Karl Serreqi, françeskan, një prej viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri, meshtar i bindur, guximtar, i vendosur dhe i dashur nga njerëzit. Diti të gërshetojë në një harmoni të plotë kushtimin total ndaj Hyjit dhe kushtimin total ndaj grigjës që i ishte besuar. At Karli u arrestua, u dёrgua nё burg, e kur e pyesnin ai ose heshtte, ose përsëriste: “Vdes, por nuk flas! Sakramenti i Rrëfimit është sekret i shenjtë e nuk tregohet”

R.SH. / Vatikan

Mё 4 prill kalendari kishtar kujton tё Lumin At Karl Serreqi, françeskan shqiptar, martir i Kishё katolike nё periudhёn e diktaturёs komuniste nё Shqipёri. Martir i rrëfimit shenjt, i Lumi At Karl Serreqi ёshtё një nga martirët që dhuruan jetën për çështjen e Krishtit dhe Ungjillit nën tehun e shpatës së diktaturës komuniste ateiste në Shqipëri. Vdiq si martir i Krishtit dhe popullit shqiptar në burgun e Burrelit më 4 prill 1954.

I Lumi At Karl Serreqi lindi në Shkodër, më 2 Shkurt 1911. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët në Shkodër, kurse teologjinë në Bresha (Itali). U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. U arrestua më 9 tetor 1946, sepse organet e sigurimit të regjimit komunist donin të dinin se çfarë i kishte thënë në Sakramentin e rrëfimit një person politik. Ai, besnik ndaj fshehtësisë së Sakramentit të Shenjtë të Rrëfimit, nuk tha asgjë gjatë torturave. “Rrëfimi ashtë nji Sakrament qi bahet në fshehtësi: a parë vdes, sesa e nxjerr atë”, pohoi i Lumi shqiptar at Karl Serreqi. Prandaj u dënua me vdekje më 18 janar 1947. Vdiq në burgun e Burrelit më 4 prill 1954. Është martir i Lum i fshehtësisë së rrëfimit.

Frat minor me një karakter të jashtëzakonshëm. Spikaste për gëzimin, ëmbëlsinë dhe butësinë e tij. Një meshtar i bindur, guximtar, i vendosur dhe i dashur nga njerëzit. Ishte i ekuilibruar dhe fjalëpakë. Kishte një besim të madh dhe kultivonte me shumë zell shpirtin e devotshmërisë. Edhe pse vinte nga një familje e kamur tregtarësh, zgjodhi shpirtin e varfërisë françeskane dhe e jetoi atë me gëzim.

Diti të gërshetojë në një harmoni të plotë kushtimin total ndaj Hyjit dhe kushtimin total ndaj grigjës që i ishte besuar. Qe një “lulevjollcë”, “një manushaqe e vërtetë, e fshehur dhe erëmirë”, aty izoluar mes malesh, tamam si në atë “malin e lumturive ungjillore apo malin e shndërrimit”, që i mundësonte një itinerar të frytshëm asketik shenjtërie. Patër Zef Pllumi, që kishte kaluar dy vjet në famulli me të shkruan se: “e kam dashtë dhe çmuar jo vetëm për përvujtninë e tij, por edhe për vrazhdësinë e tij të qetë e t’ambël”. Në ato male të vështira, patër Karli, e konsideronte privilegj mundësinë e afrimit ndaj Krishtit të varfër dhe kryqit të dashur duke imituar sadopak shën Françeskun e Asizit.

Të ndjekim reflektimin e dom Gjovani Kokona mbi figurën e martirizimin e të Lumit At Karl Serreqi:

Dom Gjovani Kokona mbi figurën e martirizimin e të Lumit At Karl Serreqi:
04 prill 2024, 10:13