Kërko

G7 e ambientit në Reggia di Venaria, Torino G7 e ambientit në Reggia di Venaria, Torino

G7 për ambientin, marrëveshje për daljen nga qymyri. Thirrje e të rinjve për ministrat

Në Takimin, që po zhvillohet në Torino, u arrit një marrëveshje për të ndaluar ndotjen nga termocentralet brenda vitit 2035. Të rinjtë u shkruajnë përfaqësuesve të qeverive: askush nuk duhet të lihet pas, duke filluar nga emigrantët klimatikë

R.SH. – Vatikan

         “Është hera e parë” e nuk ndodhi as në COP28 në Dubai, në fund të vitit 2023. Me këtë frazë, Komisioneri për Ambientin i BE-së, Ëopke Hoekstra, komentoi marrëveshjen për daljen nga përdorimi i qymyrit brenda vitit 2030, arritur gjatë punimeve të G7-s për Ambientin, që po zhvillohet në Reggia di Venaria të Torinos. Marrëveshja përmbahet në dokumentin e miratuar në fund të mbledhjes plenare të sotme, në fund të takimit dyditor. Vendet pjesëmarrëse u impenjuan edhe për të promovuar përdorimin e energjisë nga fuzioni bërthamor, si edhe për të mbështetur Koalicionin G7 për Ujin, me objektivin për t’i bërë ballë krizës globale të ujit me “strategji të përbashkëta”.

Të rinjtë: kërkojmë përgjigje për krizën klimatike

Edhe të rinjtë mobilizohen për ta çuar zërin dhe propozimet e tyre në tryezën e të rriturve. Dje, ata i dorëzuan një letër për këtë qëllim të dërguarit të veçantë të qeverisë italiane për ndryshimet klimatike. Thirrja e të rinjve vjen nga Takimi i të rinjve për Ambientin në Ditën e fundit Botërore të Tokës. Nisma, e organizuar nga Dita e Tokës Itali në bashkëpunim me Rajonin e Piemontes dhe me Parkun e Mjedisit, përfshiu 500 të rinj, që u takuan në Romë, më 18-21 prill, si edhe në Torino, për të diskutuar rreth energjisë, ekonomisë qarkore, ujit dhe veprimit në favor të klimës. Në dokument u kërkohet politikanëve “një kthesë në politikat për klimën, që të përfshijë aktivisht të gjithë komponentët shoqërorë në të vetmen betejë, për të cilën ia vlen të luftohet së bashku".

Thirrje për emigrantët klimatikë

Ndër çështjet e analizuara, theksohet tema e "migrantëve klimatikë", të cilët janë të shumtë dhe në rritje, por të panjohur për të drejtën ndërkombëtare. Migrimi klimatik, lexohet në letër, "është rezultat i ndërveprimit të ndërlikuar ndërmjet ndryshimeve mjedisore, konflikteve të armatosura, varfërisë dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut". Me shtimin e fatkeqësive natyrore, "gjithnjë e më shumë njerëz detyrohen të migrojnë, në kërkim të kushteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme të jetesës”. Për të gjithë këta, nënvizohet, duhet krijuar një sistem mikpritjeje dhe integrimi, që i ndihmon të kenë shërbimet thelbësore dhe mbrojtjen ligjore kundër të gjitha formave të diskriminimit.

30 prill 2024, 15:10