Guglielmo Marconi: "Njeriu që dëgjoi të ardhmen"
R.SH. – Vatikan
Guglielmo Marconi u lind në Pallatin Marescalchi të Bolonjës, më 25 prill 1874. I ati i tij, Giuseppe, ishte pronar tokash nga provinca Emilia e Italisë, ndërsa e ëma, Annie Jameson, pati ardhur në Itali për të studiuar "bel canto". Ajo ishte irlandeze, shtetase e Mbretërisë së Bashkuar dhe mbesa e themeluesit të fabrikës së famshme të uiskit Jameson. Ndër eksperimentet e tij të shumta, Marconi shpiku radion e parë, që mund të transmetonte në distancë, më 1895. Pas marrjes së patentës së parë për "telegrafin e tij pa tel" në Angli, Marconi themeloi "Wireless Telegraph and Signal Company" me bazë në Londër, më vonë, Marconi Company. Dy vjet më pas, ai hapi një degë në SHBA, e cila më vonë iu shit General Electric dhe u quajt RCA. Deri në fund të jetës, Marconi regjistroi 70 patenta.
Çmimi Nobel për shpikjen që shpëton jetë
Ai mori çmimin Nobel në fizikë, së bashku me shkencëtarin gjerman Karl Ferdinand Braun, për "kontributin në zhvillimin e telegrafisë pa tel". E pranoi atë në dhjetor 1909, në Stokholm, në moshën 35-vjeçare. Teknologjia e tij e radios u bë e detyrueshme në të gjitha anijet anembanë globit, pasi lidhjet në valët Mayday ndihmuan në shpëtimin e mbi 720 vetëve gjatë fundosjes tragjike të Titanikut, më 1912. Në vitin 1922, Marconi përuroi një stacion të ri radiofonik në Londër, nga i cili, me urdhër të qeverisë britanike, lindi BBC. Më pas, më 12 shkurt 1931, Papa Piu XI u bë papa i parë, që iu drejtua botës përmes radios, duke thënë në latinisht: “In arcano dei consilium, succidimus in loco principis apostolorum”. Me kërkesë të Papës, Marconi pati ngritur personalisht Radio Vatikanin, e cila, në vitin 2015, u bë pjesë e Dikasterit të sapokrijuar për Komunikimin dhe vijon punën si emitente radiofonike e Selisë së Shenjtë.
“Celulari i madh” i Marconi-t për Papën
Ndër shpikjet e tij të tjera, Marconi krijoi një "telefon të madh celular", që lidhte makinën e Papës Piu XI me Vatikanin dhe me rezidencën verore papnore në Castel Gandolfo, afër Romës. Shumë vite më vonë, Steve Jobs, themeluesi i Apple, u tha pjesëmarrësve në një konferencë në Shtetet e Bashkuara: "Marconi është rrënja jonë burimore. Ne jemi degët". Pas tij, Sir Martin Cooper, i cili shpiku celularin siç e njohim sot, deklaroi: "Në fakt, shpikja ime, celulari i vogël, ai i dorës, vjen nga intuita e Marconi-t dhe nga celulari i madh i tij".
Radiot heshtën pas vdekjes së Marconi-t
Më 20 korrik 1937, Guglielmo Marconi vdiq në Romë nga një prej infarkteve të tij të shpeshta në zemër. Radiot e mbarë botës, gjithnjë e më të pranishme në hapësirat publike dhe në shtëpitë e njerëzve, ndërprenë njëkohësisht transmetimet e tyre për dy minuta të tëra.