Irani sulmon Izraelin, SHBA frenojnë reagimin kundër Teheranit
R. SH. - Vatikan
Natën ndërmjet të premtes 13 dhe së shtunës, 14 prill, mbi 300 sulme iraniane me raketa dhe dronë goditën Izraelin, sipas njoftimit të Forcave izraelite të Mbrojtjes, që saktësuan se 99% e tyre u kapën. Tani për tani nuk ka të vdekur. Flitet vetëm për një numër ende të panjohur të plagosurish, ndërmjet të cilëve, një vajzë 9-vjeçare në gjendje të rëndë. Izraeli mbledh kabinetin e luftës
Qiellin e Izraelit e mbrojtën edhe avionët nga Shtetet e Bashkuara e nga Mbretëria e Bashkuar. “Ne i prapsuam ata: së bashku do të fitojmë”, shkroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një postim në Twitter sot në mëngjes, pas një takimi dy orësh me ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant dhe ministrin e Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, për një vlerësim fillestar të sulmeve të Teheranit kundër Izraelit. "Asnjë vendim" nuk është marrë tani për tani lidhur me përgjigjen izraelite kundër sulmit të Iranit”. Njoftimi është i një burimi zyrtar për Times of Israel. Përgjigjja e mundshme, shtoi ai, "do të diskutohet në kabinetin e luftës, planifikuar për në orën 15.00". SHBA transferojnë avionë dhe anije për të mbrojtur Izraelin Megjithatë, pala amerikane dëshiron ta shmangë zgjerimin e konfliktit. Sipas raporteve në shtypin amerikan, presidenti Joe Biden i kujtoi kryeministrit izraelit Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin asnjë kundërsulm izraelit kundër Iranit, megjithëse në deklaratat e tij zyrtare kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se mbështetja e SHBA për sigurinë e Izraelit është e patundur. Në një deklaratë të lëshuar nga presidenca amerikane, Biden informon edhe se për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit, ushtria amerikane ka transferuar gjatë javës së kaluar në rajon, avionë dhe shkatërrues për mbrojtjen raketore balistike. “Falë këtyre dislokimeve dhe ‘irrëzojë pothuajse të gjithë dronët dhe raketat që vijnë” - shpjegoi kreu i shtetit amerikan.
Irani: i gatshëm të përgjigjet, në rast hakmarrjeje
Nga ana e tij, Irani i bëri thirrje Izraelit të mos reagojë kundër sulmit të drejtpërdrejtë me dronë dhe raketa, i shpjeguar si përgjigje e detyruar ndaj bastisjes kundër konsullatës së Teheranit në Damask, më 1 prill. "Çështja mund të konsiderohet e mbyllur kështu" - pohoi përfaqësia iraniane në OKB. "Por nëse regjimi izraelit bën një gabim të ri, përgjigja do të jetë shumë më e ashpër" - shtoi ambasadori Saed Iravani, i cili i dërgoi një letër Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, duke deklaruar se sulmi kundër Izraelit "është pjesë e së drejtës së Teheranit për vetëmbrojtje”. Kreu i forcave të armatosura iraniane, Sardar Bagheri, saktësoi se sulmi kundër Izraelit "i arriti të gjitha objektivat e tij" dhe pohoi se Irani u dërgoi një mesazh Shteteve të Bashkuara përmes ambasadës zvicerane duke paralajmëruar Uashingtonin se nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e mundshme të ardhshme kundër Republikës Islamike, bazat amerikane "nuk do të jenë të sigurta" dhe do të "trajtohen" si objektiva që duhen goditur.
Sonte, mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Qeveria italiane, e cila aktualisht mban presidencën e G7, ka thirrur një konferenc për sot, herët pasdite, duke shprehur shqetësimin dhe vullnetin për ta shmangur destabilizimin e mëtejshëm të zonës. Dënimet dhe thirrjet për moderim vijnë nga të gjithë liderët perëndimorë, e edhe nga Kina. Për krizën në Lindjen e Mesme, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sonte, në orën 22:00 me orën evropiane.