Jerusalemi, një ditë pas sulmit iranian, ndërmjet rrugëve të zbrazura dhe frikës
R.SH. - Vatikan
Dje në mëngjes rrugët e Jeruzalemit dukeshin shumë më të zbrazura se të dielave të tjera, këtu, dita e parë e punës javore. Ndoshta më shumë nga lodhja, sesa nga frika e sulmeve të reja ajrore. Askush nuk flinte të shtunën mbrëma: disa u zgjuan nga shpërthimet që goditën pjesë të ndryshme të qytetit, disa mbetën të mbërthyer deri në agim, edhe pasi delegacioni iranian e, më pas, televizioni dhe interneti i OKB-së shpallën fundin e sulmit. Ishte një natë e ngarkuar me tension, që do të mbetet në historinë e Izraelit e, në veçanti, të Jeruzalemit. Nuk pritej kurrë që dritaret e Qytetit të Vjetër të dridheshin prej shpërthimeve të shkaktuara nga interceptorët e Kupolës së Hekurt kundër dronëve dhe raketave të lëshuara nga Teherani dhe aleatët e tij. Shtigjet e ndritshme dhe bubullima në kupolën e artë të Shkëmbit, në Malin e Tempullit, u bënë ikonë e kësaj nate të ngarkuar me frikë dhe u transmetuan sakaq në TV, në mbarë botën. Më pas, kur sulmi kishte përfunduar tashmë, pas orës 2.30 të mëngjesit me orën lokale, u kuptua më mirë shtrirja e vërtetë e sulmeve ajrore, duke ulur efektet dhe efektivitetin e tyre, mbi të gjitha falë funksionimit të shkëlqyer të sistemit të mbrojtjes ajrore të Izraelit. Në mëngjes, në mes të njerëzve të pakët, që u takuan, atmosfera e kënaqësisë mbretëronte në të dyja zonat e qytetit.
Paradoksi i day after - ditës së nesërme të këtij kapitulli të ri në konfliktin e Lindjes së Mesme është pikërisht se sot të gjithë flasin për fitoren. Këngë e valle në Tel Aviv, ashtu si në Teheran. Izraelitët ishin të kënaqur që kishin përballuar sulmin iranian pa dëme të tepërta (në fund do të kufizohej në plagosjen e rëndë të një vajze beduine shtatëvjeçare dhe dëmtimin e pjesshëm të një baze ajrore në Negev). Iranianët janë të kënaqur që i dhanë Izraelit një "mësim", duke u hakmarrë për vrasjen e gjeneralit pasdaran Razi Moussavi në Siri (ndër të tjera, është hera e parë që Irani kryen një operacion ushtarak kundër Izraelit, pa ndërmjetës dhe në tokën e vet). Një sulm pra, me rëndësi të madhe politike, por me peshë të vogël ushtarake, siç ishte ndoshta synimi i ajatollahëve, të cilët nuk duken të interesuar për një shkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Të kënaqur mbetën edhe palestinezët, të cilët nga njëra anë nuk munguan të vlerësojnë sulmin kundër “armikut” të përbashkët - në lagjen myslimane të Qytetit të Vjetër zhurmës së shpërthimeve u përgjigjeshin tingujt e brirëve dhe britmat e miratimit - por nga ana tjetër, edhe frika nga pasojat që do të shkaktonin kundër tyre nëse efektet e sulmeve ajrore do të ishin më tragjike. E sidomos në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor, ku tensioni është rritur sërish në mënyrë dramatike ditët e fundit rreth vendbanimeve të paligjshme të Izraelit.
Roli i presidentit amerikan, Joe Biden, ishte i rëndësishëm. Nga njëra anë, arriti, si ushtarakisht ashtu edhe politikisht, të frenonte ofensivën iraniane në terma jo përçarëse dhe nga ana tjetër - siç raportohet nga The New York Times - arriti ta bindë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që të mos përgjigjej me një kundërsulm. Në orët në vijim do të kuptohet nëse përballja mes Iranit dhe Izraelit do të bjerë në radhët e “normalitetit”: domethënë, të shkëmbimit të përditshëm të raketave në kufijtë e Libanit.
Së fundi, dy lajme nga pala e krishterë. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve, i cili pritej sot në Romë për të marrë titullin e Shën Onufrit, vendosi të qëndrojë në dioqezë dhe e shtyu ceremoninë për një datë, që do të përcaktohet. Ndërkohë, vazhdon vizita në Tokën e Shenjtë të Kryeipeshkvit të Nju Jorkut, Kardinalit Timothy Dolan, i cili mbrëmë takoi presidentin palestinez, Mahmud Abbas, në Ramallah. Në takim, kardinali ritheksoi rëndësinë e qëndrimit të Selisë së Shenjtë në mbështetjen e propozimit "dy popuj në dy shtete" si e vetmja rrugë e mundshme për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit, siç u ripohua dje në mëngjes në lutjen e Mbretëreshës Qiellore nga Papa Françesku . Ndër temat e trajtuara, edhe roli i Misionit Papnor për Palestinën dhe marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike Amerikane dhe Këshillit Palestinez Amerikan, në të cilin bëjnë pjesë shumë të krishterë palestinezë, të emigruar në SHBA.