Kërko

Shën Gjergji Shën Gjergji

Më 23 prill, kalendari kujton Shën Gjergjin, martir

Shën Gjergji konsiderohet shenjt pajtor i kalorësve, i ushtarëve, i skautëve, i shpatarëve, i harkëtarëve; njerëzit i kërkojnë ndihmë kundër murtajës dhe lebrës dhe kundër gjarpërinjve helmues. Shën Gjergji nderohet edhe nga myslimanët të cilët e konsiderojnë 'profet'

R.SH. – Vatikan

         Historitë, që tregohen për figurën e Shën Gjergjit janë të panumërta dhe plot imagjinatë, deri në episodin e kuçedrës dhe të vajzës së shpëtuar nga shenjtori, që daton në kohën e kryqëzatave. Në të thuhet se në qytetin e Selemit të Libisë ekzistonte një liqen i madh, ku jetonte një kuçedër e tmerrshme. Për ta qetësuar, banorët i ofronin dy dele në ditë dhe më vonë një dele dhe një djalë të ri, zgjedhur me short. Një ditë u zgjodh vajza e mbretit dhe, ndërsa vajza po ecte drejt liqenit, kaloi Gjergji dhe e qëlloi kuçedrën me shtizë. Pastaj i tha vajzës të mos kishte frikë dhe ta lidhte rripin e brezit në qafën e kuçedrës. Sapo e bëri këtë, kuçedra filloi ta ndiqte si të ishte ndonjë qen i vogël, drejt qytetit. Banorët u tmerruan, por Gjergji i qetësoi: “Mos kini frikë, - u tha - Zoti më dërgoi tek ju për t'ju çliruar nga kuçedra. Përqafoni besimin në Krishtin, merrni pagëzimin dhe unë do ta vras ​​përbindëshin". Mbreti dhe popullsia u kthyen në krishtërim dhe kalorësi trim vrau kuçedrën. Gjesti i tij u bë simbol i fesë, që triumfon mbi të keqen.

Po kush ishte Shën Gjergji?

Gjergji, emri i të cilit në greqisht do të thotë "bujk", lindi në Kapadoki rreth vitit 280, në një familje të krishterë. Pasi u zhvendos në Palestinë, hyri në ushtrinë e Dioklecianit. Kur, në vitin 303, perandori miratoi ​​dekretin e persekutimit kundër të krishterëve, Gjergji ua dhuroi të varfërve gjithë pasurinë e tij dhe, para vetë Dioklecianit, e grisi dokumentin dhe deklaroi besimin e tij në Krishtin. Për këtë, pësoi tortura të tmerrshme dhe, së fundi, iu pre koka. Në vendin e varrimit, në Lida, dikur kryeqytet i Palestinës dhe tani qytet izraelit pranë Tel Avivit, u ndërtua më vonë një bazilikë, rrënojat e së cilës janë ende të dukshme. Kështu thuhet në Passio Georgii, që u klasifikua ndër veprat hagjiografike me Dekretin Gelasianum të vitit 496 e, pikërisht për këtë arsye, konsiderohet si një histori legjendare martirizimi.

Ndër dokumentet më të vjetra që vërtetojnë ekzistencën e Shën Gjergjit është një epigraf grek i vitit 368 i gjetur në Heraklea të Betanisë, i cili flet për "shtëpinë, ose për kishën e shenjtëve dhe të martirëve triumfues Gjergji dhe shokët". Kjo Passio u botua shpesh edhe më vonë.

Nga martir në shenjt luftëtar

Kryqtarët kontribuan shumë në shndërrimin e figurës së Shën Gjergjit martir në një shenjtor luftëtar, duke dashur ta përdorin vrasjen e kuçedrës si simbol të disfatës së Islamit; Rikard Zemërluani iu lut atij si mbrojtës i të gjithë luftëtarëve. Me normanët, kulti i tij zuri rrënjë në Angli ku, në vitin 1348, mbreti Eduardi III themeloi Urdhrin e Kalorësve të Shën Gjergjit. Gjatë gjithë mesjetës figura e tij u bë subjekt i një letërsie epike, që konkurronte me ciklet bretone dhe karolinge.

Përkushtimi për Shën Gjergjin

Shën Gjergji konsiderohet shenjt pajtor i kalorësve, i ushtarëve, i skautëve, i shpatarëve, i harkëtarëve; njerëzit i kërkojnë ndihmë kundër murtajës dhe lebrës dhe kundër gjarpërinjve helmues. Shën Gjergji nderohet edhe nga myslimanët të cilët e konsiderojnë 'profet'. Në mungesë të informacionit të sigurt për jetën e tij, në vitin 1969, Kisha e uli nivelin e kremtimit liturgjik të Shën Gjergjit në përkujtim fakultativ, pa prekur megjithatë kultin kushtuar atij. Reliket e shenjtorit gjenden në vende të ndryshme të botës: në Romë, me urdhër të Papës Zakaria, kafka e shenjtit ruhet në kishën e Shën Gjergjit në Velabro.

Ashtu si në rastin e shenjtorëve të tjerë të rrethuar nga legjenda, edhe për Shën Gjergjin mund të arrihet në përfundimin se funksioni i tij historik është t'i kujtojë botës një ide të vetme, por themelore: e mira gjithmonë fiton mbi të keqen. Lufta kundër së keqes është një përmasë gjithnjë e pranishme në historinë njerëzore, por kjo betejë nuk mund të fitohet vetëm: Shën Gjergji vret kuçedrën, sepse është Zoti që vepron në të. Me Krishtin, e keqja nuk do ta ketë më kurrë fjalën e fundit.

23 prill 2024, 11:38