Kërko

Shën Marku ungjilltar Shën Marku ungjilltar

Më 25 prill, kalendari kujton Shën Markun ungjilltar

Shën Marku është pajtor i noterëve, skribëve, atyre, që punojnë me xhamin dhe optikëve. Ai nderohet si shenjtor nga Kisha të ndryshme të krishtera: përveç asaj katolike, edhe nga kishat ortodokse dhe kopte, të cilat e konsiderojnë si patriarkun e tyre

R.SH. - Vatikan

Për shën Markun ungjilltar, lindur në një familje të pasur hebraike, dihet vetëm ç’raportojnë Veprat e Apostujve dhe disa letra të shenjtorëve Pjetër dhe Pal; ai nuk ishte dishepull i Zotit, megjithëse disa studiues e identifikojnë me të birin e vejushës Mari, që e ndoqi Jezusin pas arrestimit të tij në Kopshtin e Gjetsemanit. Dihet, ndërkaq, se Marku bashkëpunoi me Shën Palin apostull, të cilin e takoi në Jerusalem. Shkoi me të në Qipro dhe më pas në Romë. Në vitin 66, Shën Pali i shkruante Timoteut nga burgu romak: "Markun merre dhe bjere me vete, sepse e kam të dobishëm për shërbesë” (2 Tim 4,11).

Shën Marku në Romë dhe udhëtime të tjera

Nuk dihet nëse Marku mbërriti në Romë në kohë për të qenë në martirizimin e Palit, por me siguri, u vu në shërbim të shën Pjetrit, në kryeqytetin e Perandorisë. Bazilika romake e Shën Markut, në qendrën historike, dëshmon për praninë e tij, pasi thuhet se është ndërtuar në vendin e shtëpisë, ku banonte ungjilltari. Pjetri e përmend shpesh emrin e Markut. Për shembull, në Letrën e parë të tij lexohet: “Ju bën të fala Kisha e të zgjedhurve që është në Babiloni, si edhe im bir, Marku” (1Pjt 5,13).

Ose gjithnjë në Veprat e Apostujve, pas lirimit të Pjetrit nga burgu, për mrekulli të Zotit: “Posa u mendua pakëz, u nis drejt shtëpisë së Marisë, nënës së Gjonit që quhet Mark, ku shumë ishin bashkuar në uratë” (Vap 12,12).

Pas vdekjes së Princit të Apostujve, gjurmët e Markut humbasin: një traditë e lashtë e konsideron ungjillëzues në Egjipt dhe themelues të Kishës së Aleksandrisë. Një tjetër tregon se, përpara se të kthehej në Egjipt, ai ndodhej në Aquileia për ungjillizimin e zonës verilindore të Perandorisë. Këtu, ai ktheu në krishtërim qytetin Ermagora dhe u bë ipeshkvi i parë i tij. Pasi u largua nga Aquileia, me sa duket, për shkak të një stuhie, zbarkoi në ishujt Rialtine, bërthama e Venedikut të ardhshëm. Në gjumë, pa në ëndërr një engjëll, i cili i premtoi se në atë tokë do të prehej, duke pritur ditën e fundme.

Dëshmia supreme e Shën Markut

Shën Marku ungjilltar vdiq ndërmjet viteve 68 dhe 72, ndoshta si martir në Aleksandri të Egjiptit. Së paku, kështu shkruhet në Veprat e Markut, shkrime të shekullit IV: "Më 24 prill, u tërhoq zvarrë nga paganët nëpër rrugët e Aleksandrisë, i lidhur me litar në qafë. Në burg, u ngushëllua nga një engjëll, por të nesërmen pësoi të njëjtin mundim mizor dhe ndërroi jetë". Trupi i tij ishte i destinuar për t’u hedhur në zjarr, por u shpëtua nga besimtarët dhe u varros në një shpellë. Prej aty, në shekullin V, u zhvendos në një kishë. Sipas traditës, në vitin 828, dy tregtarë venedikas e morën trupin, që mund të përdhosej nga arabët, dhe e çuan në qytetin e Venedikut ku ruhet edhe sot, në bazilikën kushtuar Shën Markut. Disa nga reliket e tij ruhen në Kajro, Egjipt, në katedralen e Shën Markut, seli e Patriarkut ortodoks kopt.

Ungjilli "konkret" i Shën Markut

Shën Marku konsiderohet si "stenografi" i Shën Pjetrit: Ungjilli i tij u shkrua ndërmjet viteve 50 dhe 60. Sipas traditës, ai transkriptoi predikimin e Pjetrit dhe katekezat e tij për të krishterët e parë të Romës, pa i shtjelluar e pa i përshtatur sipas ndonjë skeme personale; për këtë arsye, Ungjilli i tij ofron gjallërinë dhe çiltërsinë e një tregimi popullor. Gjuha është greqishtja, më e folura në ato kohë; objektivi i tregimeve është të dëshmojë pushtetin e Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, që manifestohet përmes mrekullive të shumta. Fjalët e Ungjillit sipas Markut: "Shkoni në mbarë botën dhe shpallini Ungjillin çdo krijese", shpjegon Papa Françesku, tregojnë qartë se çfarë dëshiron Jezusi nga dishepujt e tij.

Shën Marku, Pajtori i Venedikut

Që nga viti 1071, Shën Marku u zgjodh si titullar i Bazilikës dhe Pajtori kryesor i Serenissima-s. Me kalimin e kohës, Venediku mbeti i lidhur pazgjidhshmërisht me të dhe simboli i ungjilltarit, luani me flatra, që mbështet putrën në librin ku shkruhet: "Pax tibi Marce evangelista meus", u bë stema e qytetit, e vendosur në çdo qoshe dhe e ngritur në çdo vend ku Serenissima çoi pushtetin e saj.

Shën Marku është pajtor i noterëve, skribëve, atyre, që punojnë me xhamin dhe optikëve. Ai nderohet si shenjtor nga Kisha të ndryshme të krishtera: përveç asaj katolike, edhe nga kishat ortodokse dhe kopte, të cilat e konsiderojnë si patriarkun e tyre.

25 prill 2024, 11:39