Shenjtorët e javës 21 - 27 prill
R.SH.- Vatikan
Sot e diel 22 prill, Kisha katolike romake kremton të dielën e 4-të kohës së Pashkëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar. E po më 21 prill kalendari kujton shën Anselmin, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës dhe Shën Apollonin, filozof e martir romak.
Kёtё tё diele tё 4-tё tё Pashkёve, në Ungjillin e kësaj së diel nga Gjoni, Jezusi na paraqitet si Bari i Mirë. Jezusi, kur thotë se i njeh delet e veta e se edhe delet e njohin, “nuk e ka fjalën për njohje intelektive, por për marrëdhënie personale, për dashuri të anasjelltë”. Prej këndej, Papa na nxit t’ia hapim zemrën Jezusit, që të mund të hyjë deri në thellësitë tona të pashqyrtueshme. Zoti dëshiron të na shërojë, të na falë. E na prin me dashuri, që të mund të shkelim edhe nëpër shtigje të ngatërruara, pa e humbur kurrë rrugën.
Të hënën më 22 prill, kalendari kishtar përkujton shën Sotirin papë, shën Kajon papë, shën Agapiton, papë dhe shën Leonidën.
Të martën më 23 prill, kalendari kishtar përkujton shën Gjergjin, martir; shën Adalbertit, ipeshkëv i Pragës e martir dhe shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistercense.
Të mërkurën më 24 prill, kalendari kishtar përkujton shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe shën Marinë Heselblad, themeluese e brigjidineve.
Të enjten 25 prill, kalendari kishtar përkujton shën Markun ungjilltar, i cili me jetën e me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.
Të premten më 26 prill, bie festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores qiellore të popullit shqiptar. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare në Shkodër, rrenimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan të Italisë, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.
Të shtunën më 27 prill, kalendari kishtar përkujton shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e kësaj dite e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësiht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi dhe gjaku i Tij janë bukë e vërtetë e pije e vërtetë!
Të dielën e ardhshme më 28 prill, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 5-të të Pashkëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar e gjithnjë më 28 prill, sipas kalendari kishtar do të përkujtojë shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë.