Kërko

Armë Armë

SIPRI: në Azi nuk janë bërë kurrë kaq shumë shpenzime për armët

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) i kushton një analizë të hollësishme shpenzimeve për armë në Azi. Nuk kanë qenë kurrë kaq të larta, pohon, duke analizuar hollësisht situatën aktuale në botë

R.SH. - Vatikan

Nuk është vetëm Gaza, as lufta në Ukrainë: është edhe kriza e Tajvanit që po nxit garën globale të armëve. Rritja prej 6.8% përfaqëson “më të madhen në bazë vjetore që nga viti 2009”. Kina, Rusia, India dhe Arabia Saudite janë ndër pesë vendet e para në botë, njëheresh me Shtetet e Bashkuara. Investimet e Pekinit infektojnë vendet e tjera të Azisë e të Paqësorit, veçanërisht Japoninë dhe Tajvanin. Izraeli shënon një rritje prej 24%.

Në vitin 2023, u regjistrua rritja më e madhe e dekadës së fundit për sa i përket shpenzimeve ushtarake globale, të cilat arritën kulmin historik për një shumë totale prej 2.4 trilion dollarësh, nxitur nga tensionet Azi-Paqësor (Tajvan) dhe konflikti ndërmjet Izraelit e Hamasit (përveç Iranit). Këto, të dhënat që përmban raporti i fundit i publikuar sot nga Sipri (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm), nga i cili mësojmë edhe një fakt tjetër interesant: rritjet më të mëdha në nivel gjeografik kanë të bëjnë me Azinë, Lindjen e Mesme dhe pjesërisht, me Evropën, për shkak të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, e cila po zvarritet për më shumë se dy vjet. "Shpenzimet totale ushtarake janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave", nënvizon për AFP-në studiuesi i lartë i Sipri, Nan Tian, ​​sipas të cilit "rritja e shpenzimeve vërehet në të pesë rajonet gjeografike". Në terma numerikë, rritja e shpenzimeve ushtarake është 6.8% dhe përfaqëson "më të rëndësishmen në bazë vjetore, që nga viti 2009", shton specialisti. "Kjo rritje pasqyron keqësimin e mëtejshëm të paqes dhe të sigurisë në botë"- shton ai - ndonëse "nuk ka asnjë rajon, në të cilin situata të jetë përmirësuar".

Në nivel botëror, pesë vendet kryesore për shpenzimet ushtarake në raportin vjetor Sipri, janë: Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, India dhe Arabia Saudite. Në Azi, fakti më i qartë është roli nxitës nga ana e Kinës e cila, me rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake nxit garën e armatimeve të fqinjve të saj, veçanërisht të Tajvanit (i frikësuar nga sulmi i mundshëm i Pekinit) dhe Japonia, që ka arkivuar dekada pacifizmi. Pekini, i dyti në botë për sa i përket parave të shpenzuara, pas Shteteve të Bashkuara, ka caktuar rreth 296 miliardë dollarë për ushtrinë në vitin 2023, me një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2022. Kjo është rritja e njëzet e nëntë radhazi në shpenzimet ushtarake kineze në një vit bazë, për një komb që përfaqëson gjysmën e shpenzimeve totale ushtarake në rajonin e Azisë dhe të Oqeanisë. "Kina po cakton pjesën më të madhe të buxhetit të saj ushtarak në rritje për thellimin e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore" - shpjegon studiuesi i Sipri, Xiao Liang. - “Kjo i ka shtyrë vende të tilla, si Japonia dhe Tajvani - vazhdon ai - të forcojnë ndjeshëm aftësitë e tyre ushtarake, prirje që do të thellohet më tej vitet e ardhshme”. Tokio, në veçanti, akordoi 50.2 miliardë dollarë për ushtrinë në vitin 2023, 11% më shumë se në vitin 2022. Rritje e ngjashme edhe për Tajvanin, me një shifër prej 11%, më 2023, duke arritur në 16.6 miliardë dollarë. Vendi i katërt më i madh në botë për shpenzime, India, shënoi një rritje prej 4.3%, duke arritur në 83.6 miliardë dollarë.

E gjithë kjo, përveç tensioneve në ngushticën e Tajvanit, ishull "rebel" që Pekini e konsideron pjesë të territorit, ndaj është i gatshëm të shpenzojë pa kursim për një operacion ushtarak, në të cilin Shtetet e Bashkuara janë (më shumë se) spektator i interesuar. Kështu luftërat po i nxisin shpenzimet ushtarake në Lindjen e Mesme: prej konfliktit në Gaza, shpërthyer nga Izraeli kundër Hamasit në përgjigje të sulmit terrorist të 7 tetorit, deri te konfrontimet më të fundit ndërmjet Shtetit Hebre dhe Iranit, që përfshin raketa balistike dhe drone ushtarake. Prandaj rritja e vlerësuar për rajonin prej 9% në vitin 2023, investim total prej 200 miliardë dollarësh, edhe në këtë rast është më e larta e dekadës së fundit.

Drejtuese e garës së armatimeve është Arabia Saudite, ndër kombet e rralla të papërfshira - të paktën zyrtarisht - në një luftë apo ndeshje ushtarake dhe, përkundrazi, ndër më të interesuarat për zbutjen e tensionit ndërmjet Izraelit dhe Republikës Islamike. Shpenzimet e Riadit u rritën me 4.3% në vitin 2023, duke arritur në 75.8 miliardë dollarë ose 7.1% të Prodhimit të Brendshëm Brut (PBB). Të Izraelit, i dyti në rajon pas Arabisë Saudite, u rritën me 24%, duke arritur në 27.5 miliardë dollarë, përcaktuar kryesisht nga ofensiva në Gaza. “Rritja e jashtëzakonshme e shpenzimeve ushtarake në Lindjen e Mesme në vitin 2023 pasqyron evolucionin e shpejtë të situatës në rajon: nga përmirësimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe disa vendeve arabe në vitet e fundit, tek shpërthimi i luftës në shkallë të gjerë në Gaza dhe frika e një konflikti në nivel rajonal” - shpjegon Diego Lopes da Silva, ekspert rajonal i Sipri. Vitin e kaluar Irani ishte vendi i katërt për shpenzimet ushtarake në zonë, me 10.3 miliardë dollarë dhe me një rritje në pjesën e rezervuar për Pasdaran, që kaloi nga 27% në 2019 në 37% në 2023.

Shpenzime marramendëse, që kanë pasoja tejet negative mbi jetën e mbarë njerëzimit! Sidomos, të atyre që shtrijnë duart e mpira për një kafshatë, e ashtu edhe vdesin!

22 prill 2024, 13:28