Ukrainë, miratohet nga Kongresi i SHBA-së paketa e ndihmave prej 61 milionë dollarësh
R. SH. - Vatikan
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pranon me mirënjohje paketën e ndihmës, të cilën, më në fund, Dhoma e SHBA-së e miratoi për Ukrainën. Brenda një jave armët dhe paratë mund të arrijnë në vend, sipas deklaratës të Ministrisë së Mbrojtjes të SHBA-së. Paketa, e cila do të shpërndahet ndërmjet Izraelit, Tajvanit dhe Ukrainës, ka vlerë prej 95 milionë dollarësh. 61 milionë prej tyre janë të Ukrainës. Për të marrë miratimin e plotë, masa duhet të kalojë nga Senati, vota pozitive e të cilit konsiderohet e padiskutueshme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pohoi se do ta nënshkruajë menjëherë masën e shumëpritur nga Ukraina, e cila po kalon një çast shumë të vështirë për të kundërshtuar pushtimin rus. Në veçanti, paketa do të përfshijë furnizimin me municione, për të cilat Ukraina ka shumë nevojë, veçanërisht pas pushtimit të Adviinka-s, në mes të shkurtit. Kryeparlamentari Mike Johnson arriti të zbusë pozicionet e republikanëve, të cilët kanë shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe arriti të përmbysë parashikimet e votave me një sërë lëshimesh të bëra për anëtarët më të papajtueshëm të partisë.
Sulmi i Ukrainës në Rusi, dy viktima në rajonin e Belgorodit
Evropa pohon se është gati për kthesë vendimtare në drejtim të ndihmës për Kievin. “Ky nuk është vetëm çast i bukur dhe i rëndësishëm për Ukrainën. Është koha për të siguruar rendin evropian të paqes, prandaj në Këshillin e Bashkimit Evropian, Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes do ta diskutojnë intensivisht zgjerimin e mbështetjes sonë për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore". Këtë pohoi Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, sapo u kthye nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg. Gjithsesi, Evropa nuk flet me një zë. Kryeministri hungarez, Victor Orban, shpreh shqetësimin për rrezikun drejt të cilit po shkon Evropa, duke ripohuar vendimin e Budapestit për të qëndruar jashtë: “Ne, hungarezët, e dimë se si është lufta. Kemi luftuar shumë herë, ndaj e dimë se duhet qëndruar duarjashtë. Nuk e duam luftën. Ja pse duam të luftojmë për paqen”, shkruan kryeministri hungarez në Facebook.
Në fushën e betejës
Për Kievin, situata në terren vazhdon të keqësohet. Gjatë natës vijuan flakjet e raketave dhe të dronëve rusë kundër Ukrainës. Sulmet, të cilat nisën nga rajoni i Krimesë dhe Donetskut, u ndërprenë në rajonin e Odesës. Ndërkohë, Rusia, e cila rimori një fshat të vogël më pak se tre kilometra nga Khasiv Yar, pësoi një pengesë të re në Detin e Zi, ku u godit edhe një anije tjetër e Moskës.