Më 17 maj kalendari kujton shën Pashk Bajlonin
R.SH. -Vatikan
Më 17 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Pashk Bajlonin, rregulltar françeskan, analfabet, teolog i Eukaristisë.
Eukaristia është shenja e dashurisë më të madhe që ka Zoti për ne. Në atë copë bukë në të cilën Zoti e bën veten të pranishëm në histori kemi një mesazh universal, i cili bashkon më "të mëdhenjtë" dhe më të vegjlit e tokës: të gjithë nga Zoti jemi të dashur në të njëjtën mënyrë. Shën Pashkë Baylon, "teologu i Eukaristisë", ishte dëshmitar i këtij misteri të fesë së krishterë, misterit të thellë, por njëkohësisht të thjeshtë dhe universal. Dashuria e tij për Eukaristinë Shenjte nuk ishte fryt i studimeve dhe mësimeve, por i një afërsie të vazhdueshme dhe këmbëngulëse.
Një përkim i posaçëm bashkon ditën e lindjes e të vdekjes së Shën Pashkut Bajloni, që njihet si Pajtor qiellor i shoqatave eukaristike: lindi ditën e Rrëshajëve të vitit 1540 në Torre Hermosa të Spanjës e vdiq në afërsi të Valencies, në Villa Real, ditën e Rrëshajëve të vitit 1592.
Ky frat i përvujtë, i cili nuk e ndjeu veten të denjë për t’u shuguruar meshtar, ishte vërtetë bir i Rrëshajëve, që do të thotë, i pajisur nga Shpirti Shenjt me dhurata të shumta, ndërmjet të cilave, dhantia e dijes së frymëzuar nga qielli.
Pashk Bajloni ishte i pashkollë. Vitet e jetës rregulltare i kaloi duke kryer shërbimin e portierit. E megjithatë konsiderohet si “Teologu i Eukaristisë”, e jo vetëm për fjalimet që u mbajti kalvinistëve të Francës mbi Eukaristinë, gjatë udhëtimit të tij në Paris, por edhe për shkrimet që i la trashëgim Kishës. Ndër shqiptarë emri i Shenjtit ka marrë trajtat Pashk, Pashko, Pashuk, Shuk, Paç e Paskal, ndërsa ndër vajza, Pashkë e Paskualina.