Kërko

Më 22 maj kalendari kujton Shën Ritën nga Kashia

Shërbim për të afërmin, këmbëngulje, përvujtëri e guxim në bartjen e kryqit: janë këto virtyte të Shën Ritës. Grua, bashkëshorte, nënë, vejushë, murgeshë, bartëse e varrëve të Krishtit, Shën Rita e jetoi çdo çast të ditës, duke zbatuar vlerat e mikpritjes, të bamirësisë, të dialogut e të faljes.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike përkujton sot Shën Ritën nga Kashia (Cascia), (1381 – 1457), vejushë e rregulltare, pajtore qiellore e të pashpresëve. Ndërmjetësuese e përshtatshme për shumë njerëz kudo në botë, e edhe për shqiptarët, që vijojnë gjakmarrjen - nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjakësorë. Grua, bashkëshorte, nënë, vejushë, murgeshë, bartëse e varrëve të Krishtit, Shën Rita e jetoi çdo çast të ditës, duke zbatuar vlerat e mikpritjes, të bamirësisë, të dialogut e të faljes.

Shenjta, e cila vijon të fitojë çdo ditë të devotshëm të ri, për shkak të hirit që ka marrë dhuratë nga Zoti, lindi më 1381 në Rokaporena, pranë Perugjës. U rrit në frikë të Zotit pranë prindërve të saj, në moshë të shkuar. I respektoi aq, sa për të përmbushur vullnetin e tyre, hoqi dorë nga jeta rregulltare, e cila i pëlqente aq shumë e u martua me Paolo Ferdinandin, njeri i tërbuar, që një ditë prej ditësh u gjet i vdekur në një hendek. Të bijtë, tashmë të rritur, u betuan t’ia marrin gjakun. Rita bëri çmos t’i bindte të hiqnin dorë, por qe e pamundur.

Atëherë iu lut me gjithë zemër Zotit t’ia marrë, më mirë se të bëhen gjakësorë. Lutja e saj, në këndvështrimin njerëzor krejt e pakuptueshme, u dëgjua. Djemtë i vdiqën. Atëherë Rita hyri në kuvend e ia kushtoi veten lutjes e dashurisë për Krishtin e kryqëzuar, i cili ia shënoi mrekullisht fytyrën e vet me një gjemb në lule të ballit. E figura hyjnore i mbeti aty, deri në vdekje, në sa pas vdekjes trupi i saj mbeti si të ishte i gjallë.

Zoti, duke ia pranuar lutjen për të arritur të paarritshmen, e bëri Pajtore të gjithë atyre që vuajnë për shkaqe, në dukje pa rrugëdalje. Ndërmjetësuese e përshtatshme për shume njerëz, e edhe për shqiptarët, që vijojnë gjakmarrjen - nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjakësorë.

Çdo vit në Itali njerëzve që falin gjaqet u jepet çmimi “Shën Rita”. A nuk do të ishte e arsyeshme të jepej një çmim i tillë edhe në Shqipëri, ku vijon një fenomen tepër i pakuptueshëm për botën e qytetëruar, fenomeni i tmerrshëm i ngujimit nga frika e gjakmarrjes?

Shën Rita është shenjte e popullit e për popullin; devocioni ndaj saj është kaq i fuqishëm në të gjithë botën, sepse shumë e ndjejnë afër, si njeriun e tyre. E dimë të gjithë se kjo varet nga fakti se Shën Rita, si bijë, grua, nënë, vejushë dhe së fundi, si e shuguruar, jetoi në thjeshtësi e kaloi një jetë, që mund të jetë e secilit prej nesh. Ja pse njerëzit e shohin si një mike, me të cilën flasin, së cilës i besojnë, e cila mund t’ia kuptojë shpirtin dhe nevojat gjithkujt. Si bashkëshorte, ajo na jep një shembull të madh tolerance, altruizmi, durimi.

Pati një burrë jo të lehtë, por nuk u dorëzua kurrë! Tha: “Dua ta bëj tim shoq të jetojë qetësisht me mua e me fëmijët, që na dha Zoti”. E për këtë, u lut shumë. Pastaj, shohim Shën Ritën nënë e nënat duan më të mirën për bijtë e tyre. Fatkeqësisht, u gjend në situatën kur, pasi i vranë të shoqin, të bijtë donin të hakmerreshin.

Shën Rita u lut, u përgjërua, bëri gjithçka mundi që të bijtë të mos njolloseshin me gjak. Të bijtë u sëmurën e vdiqën, por – siç donte shën Rita – nuk derdhën gjakun e të tjerëve. Kërkoi paqen me çdo kusht, duke shkuar nga familja në familje për të paqtuar zemrat, që s’mendonin tjetër veçse për urrejtjen. Ia arriti qëllimit, sepse besonte me gjithë shpirt se Zoti mund ta sjellë paqen në zemrat e njerëzve.

Lutja Shën Ritës:

O Zot, ti që jeton në zemrat tona, me ndërmjetësimin e Shën Ritës, të lutemi për Shqipërinë e shqiptarët e gjithe njerëzit:

Ndihmoji ta njohin më mirë njëri-tjetrin, të kuptohen më shumë, të ndjehen të sigurt në trojet e tyre, t’i duan e të shqetësohen për to…;

të jenë të zotët të heshtin kur nuk duhet folur e të flasin, kur nuk duhet heshtur, që heshtja e gjatë të mos i bëjë të huaj për njëri-tjetrin;

çliroi nga pretendimi për t’ua imponuar të tjerëve mënyrën e vet të të menduarit e të të jetuarit;

nëpër ndërmjetësi të Shën Ritës, fali, kur harrojnë se janë Bijtë e miqtë e Tu, e jetojnë nën strehët e tyre, sikur ti, o Zot, të mos ishe;

 largoje prej tyre egoizmin e frikën, që ua  mbyllin zemrat e i bëjnë të mendojnë vetëm për vete, duke i harruar deri familjarët!

Me ndërmjetësi të Shenjtores të të pashpresëve, mbaji të bashkuar përgjithmonë rreth Kishës Sate, për të parë fytyrën Tënde e gëzimin tënd, që nuk mund të krahasohen me asnjë gëzim tjetër! 

22 maj 2024, 10:17