Më 8 maj kremtojmё festёn e Zojës Rruzare të Pompeit

8 maji shënon një datë të palëvizshme për devocionin ndaj Zojës së Bekuar që nderohet në Pompei me emrin Zoja Rruzare. Themeluesi i Shenjtërores së Pompeit, deshi që në këtë ditë e pikërisht në ora dymbëdhjetë t’i lartohej Zojës së Bekuar një uratë e veçantë, lutja pra, për të kërkuar përmes lutjes së zjarrtë hiret Hyjnore

R.SH. - Vatikan

8 maji shënon një datë të palëvizshme për devocionin  ndaj Zojës së Bekuar që nderohet në Pompei me emrin Zoja Rruzare. Themeluesi i Shenjtërores së Pompeit, deshi që në këtë ditë e pikërisht në ora dymbëdhjetë t’i lartohej Zojës së Bekuar një uratë e veçantë,  lutja pra, për të kërkuar përmes lutjes së zjarrtë hiret Hyjnore.

Në praninë e mijëra besimtarëve, në shenjtoren e Zojës Rruzare në Pompei u rinovua në mesditë tradita e Lutjes drejtuar shën Marisë Virgjër. Është një lutje e veçantë, hartuar në vitin 1883 nga i Lumi Bartolomeo Longo, me rastin e bekimit të kambanës së parë të shenjtores.

Lutja e Pompeit është veçanërisht e bukur, e përkushtuar, e frymëzuar nga vetë Zoja Mari, e cila iu duk Bartolomeo Longos, avokat i ri italian, dhe i tha t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Ja si përfundon ajo:

“O Rruzare e bekuar nga Shën Maria, zinxhir i ëmbël që na lidh me Zotin, vjegëz dashurie që na bashkon me Engjëjt, kullë shpëtimi, në sulmet e ferrit, port i sigurtë në rast mbytjeje të përgjithshme, ne nuk do të lëshojmë më kurrë nga dora. Ti do të jesh ngushëllimi ynë në agoni, për ty puthja e fundit e jetës që shuhet. Fjala e fundit që del prej buzëve tona, do të jetë emri yt hyjnor o Mbretëreshë e Rruzares së Pompeit, o nëna jonë e dashur, o Strehë e mëkatarëve, o Sovrane ngushëlluese e të hidhëruarve. Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell. Amen”

Kisha na kujton vlerën shpirtërore të kësaj Lutjeje të përgjëruar  e cila është njëkohësisht lirikë dhe muzikë. Mbi ato faqe janë derdhur lumenj lotësh e janë stampuar miliarda puthje. Në këtë lutje universale, derdhen të gjitha dhimbjet e shpresat e familjes njerëzore. Është kaq e përkryer rezonanca që ajo ngjall në çdo zemër të krishterë, saqë secili kur e thotë ka përshtypjen se po e harton ai vetë për herë të parë. Mund të thuhet se autori i vërtetë nuk është Bartolomeo Longo, por shpirti popullor, feja e popullit. Është Kisha që ecën në botë e lutet.

Pra, sot 8 maj, në Shenjtëroren e Zojës në Pompei, në Itali, gjatë një kremtimi, thuhet lutja tradicionale drejtuar Zojës Rruzare me pjesëmarrje të mijëra e mijëra besimtarëve.  Po kështu edhe në Kisha të mbarë botës, në mes ditë është lutur Nëna Qiellore, Zoja Rruzare. Kjo ngjarje Lidhet me një traditë të lashtë, që nis në vitin e largët 1571.

Kujtojmё se më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit nga Korinthi, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet u mbytën të gjitha ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores"

Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.

 

 

08 maj 2024, 09:35