9 maji, Dita e Evropës: rast për të rizbuluar kujtesën dhe identitetin
Sot 9 maji bie Dita e Evropës, një rast i mirë për të rizbuluar kujtesën dhe identitetin. 74 vjet pas lindjes, Bashkimi Evropian duhet të përballet me sfidat e së ardhmes në një panoramë ndërkombëtare ku paqja duket gjithnjë e më e largët.
Dita e Evropës është dita në të cilën kujtohen hapat e parë të integrimit të komunitetit Evropian në vitet 1950, ndihmon për të rizbuluar objektivat themelore të "shtëpisë së përbashkët", në rend të parë paqen. Kështu historia jep edhe elemente për të kuptuar rrugën aktuale të BE-së, për të cilën qytetarët e Kontinentit të Vjetër do të thirremi të zgjedhim Parlamentin e ri më 8 dhe 9 qershor.
Pikërisht, si sot, më 9 maj të vitit 1950, u hodh hapi i parë drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”. Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbikombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Vite më vonë, në Samitin e Milanos, më 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe të festohej si “Dita e Evropës”.