Kërko

Më 16 maj kalendari kujton të Lumin Vladimir Gjika, martir, me origjinë shqiptare

Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare. I Lumi imzot Vladimir Gjika, lidhet drejtpërdrejt edhe me Kombin shqiptar, sepse me gjak ishte shqiptar, e sipas kardinalit Anxhelo Amato, ky i Lum, i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare.

Vladimir Gjika, meshtar rumun, me origjinë shqiptare, u shpall i Lum më 31 gusht 2013.  Ai u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik.

Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si besimtar laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Pra, me 31 gusht 2013, në Bukuresht, në pavionin qëndror të Romexpo, në orën 11.00, u kremtua një Meshë solemne me ritin e Lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Atë Gjika u arrestua nga regjimi komunist në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike të Vatikanit. Pastaj, erdhi burgimi i gjatë dhe i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.

I Lumi imzot Vladimir Gjika, lidhet drejtpërdrejt edhe me Kombin shqiptar, sepse me gjak ishte shqiptar, e sipas kardinalit Anxhelo Amato, ky i Lum, i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë.

Nga familje fisnike, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika i përdori talentet e shumta, që i kishte dhuruar natyra e hiri i Zotit, gjithnjë në shërbim të të varfërve. I kthyer në vitin 1902 në fenë katolike e i shuguruar meshtar në Paris, më 7 tetor 1923, në moshën 50-vjeçare nisi apostullimin e përkushtuar në shërbim të më të vegjëlve, më të varfërve. Në vitin 1939 vendosi të mbetej në Rumani, për të përballuar nevojat e refugjatëve polakë, pas pushtimit nazist të Polonisë.

Besnik ndaj "teologjisë së tij të nevojës a ndihmës" (théologie du besoin) ai ndihmoi me të gjitha forcat të sëmurët, të plagosurit dhe robërit e luftës. E vijoi këtë udhë edhe më 1948 kur, pas abdikimit dhe largimit të mbretit Mikel, regjimi komunist nisi sulmin sistematik kundër katolikëve, me synim, asgjësimin e tyre.

Për martirizimin e tij
Imzot Gjika, më 18 nëntor 1952, u burgos në Zhilavë, një nga kampet më të tmerrshme të shfarosjens në Rumani. Dinjiteti, falja e persekutuesve, ndihma shpirtërore ndaj të burgosurve, që vuanin përkrah tij, jeta e thellë e lutjes, e bënë shembull tepër të lartë dëshmie ungjillore. Më 16 maj 1954 u shua, pas torturave mizore në kthetrat e sigurimit të shtetit. Njeri me përshpirtëri të thellë, ithtar i ekumenizmit, dëshira më e madhe tij ishte ta shikonte të bashkuar Kishën Katolike me atë Ortodokse.

Mesazhi që na ofron i Lumnimi i Vladimir Gjikës
Janë tre, mesazhet e tij. I pari, dëshira ekumenike. Ëndërronte unitetin e Kishës. Propozonte shenjtërinë, si mjet i domosdoshëm për të çuar përpara bashkimin e të krishterëve. Në martirizimin e miliona të krishterëve ortodoksë të persekutuar posaçërisht në Rusi e në Evropën e Lindjes nga regjimet komuniste, shikonte garancinë e një rilindjeje të vërtetë që, në logjikën e misterit të Pashkëve, duhet të sillte bashkimin e dëshiruar. Aspekti i dytë ka të bëjë me impenjimin konkret të dhimbsurisë ndaj refugjatëve, të plagosurve të luftës, të sëmurëve, të cilët i mirëpriti, i vizitoi, i ndihmoi. Aspetki i tretë lidhet me dëshminë e tij të martirizmit, nën regjimin çnjerëzor të stalinizmit. U detyrua t’i nënshtrohej hetimeve torturuese, ditë-natë, shoqëruar me rrahje pa pikë mëshire, aq sa t’i rrezikohej dëgjimi e shikimi, e me tipe të ndryshme varjesh. I duroi të gjitha me fe e guxim e, sidomos, me ndihmën e lutjes.

Figura e të Lumit Vladimir Gjikës
Lumnimi duhet parë si shenjë profetike pajtimi e paqeje, si kujtim i një të kaluare të trishtuar, që nuk duhet të përsëritet në asnjë mënyrë, e si impenjim për të ndërtuar ardhmërinë plot shpresë, bashkim vëllazëror, liri e gëzim.

 

Imzot Gjika ju lutemi, na trego ndonjë histori!

Djaloshi që sapo foli, është njëzet e gjashtë vjeç, por megjithatë kërkon një histori, ashtu si kërkojnë fëmijët një përrallë, para se t’i zërë gjumi. Duhet pranuar se historitë e imzot Gjikës përhapen në qelinë e ngushtë të burgut rumun, si të ishin një fllad i freskët. Ndërsa ndjek fillin e tregimit të ipeshkvit plak, djaloshi i ri e harron vendin ku ndodhet, rojet që e rrethojnë, muret, torturat... Arratiset nga ai vend. Me mend, natyrisht.
Burgjet rumune janë përplot me të burgosur politikë. Shumë prej tyre, tepër të rinj, nuk e dinë fare ç’i pret. Por ata që kanë fatin të jenë pranë imzot Gikës, harrojnë gjithçka, sapo ipeshkvi plak nis të tregojë një histori të re. E ai nuk shterron kurrë.
Në vitin 1948 imzot Gjika pati mundësi të ikte në mërgim, duke ndjekur mbretin Mikel. Por nuk iku. Deshi të rrinte pranë atyre, që e patën kundërshtuar, përkrah tij, nazizmin një here, e komunizmin tani. Ndonëse e dinte se heret a vonë e priste burgu. Një meshtar katolik, besnik i Papës, nuk u pëlqen asfare komunistëve. E parashikimi i tij vërtetohet shumë shpejt. Më 18 nëntor 1952 arrestohet e dënohet me tri vjet burgim. Ndryshe nga shokët e tij të mjerimit, i përket një breznie, që nuk njohu vetëm tmerret e nazizmit e të komunizmit. Ai rrjedh nga një familje e pasur, ka jetuar në oborrin mbretëror, ka shtegtuar shumë, ka shkelur në rrugët e Parisit, të Vjenës.... Tregimet e tij i zhytin të rinjtë në ëndërrime. E natyrisht ipeshkvi nuk harron kurrë t’u flasë në radhë të parë për Zotin.
Vladimir Gjika u shugurua meshtar në Francë, në vitin 1923. Nëna e tij ishte franceze. E ishte pikërisht ajo që e njohu me Parisin, me kulturën e kryeqytetit të madh, me intelektualët e tij… e edhe me të varfërit e tij. Meshtari mënjanë ndiqte shoqërinë e lartë, në anë tjetër merrej me nevojtarët, duke mbetur tërë jetën njeri krejt i thjeshtë, si gjithë ata që kanë kulturë të vërtetë.
Kur shpërthen Lufta II Botërore, Vladimiri është në Bukuresht, në Rumani. Lufton kundër nazizmit e u hap sytë shumë të rinjve, të gënjyer nga fjalimet e Hitlerit. Më pas ngre zërin kundër komunizmit dhe e kritikon ashpër këtë ideologji ekstremiste. E ja, tani ndodhet në burg.
Ata që e njohën imzot Gikën në burg, thonë se ia dolën t’i bëjnë ballë mundimeve të qelisë vetëm falë atij, tregimeve të tij, mësimeve të tij për Zotin. Deri sa vdiq, më 17 maj 1954, ipeshkvi plak vijoi të tregonte histori, të cilat i mbajtën gjallë ata që i dëgjonin.

16 maj 2024, 09:57