Kërko

Me 20 maj kalendari kujton Shën Bernardinin nga Siena

Predikatar i madh i emrit të Jezusit, Bernardini i mahnitur nga figura e Shën Françeskut të Asizit, zgjodhi rrugën e jetës françeskane. Shën Bernardini nga Siena na kujton se krishterimi nuk është i lehtë, por i lum

R.SH. - Vatikan

Predikatar i madh i emrit të Jezusit, Bernardini lindi në Massa Maritima (Itali) në vitin 1380, në familjen seneze të Albizeskëve. Ishte ende fëmijë, kur humbi prindërit. U rrit në shtëpinë e hallave, që banonin në Sienë, ku pati fatin të merrte një edukatë të vërtetë kristiane.

Ndoqi studion seneze, deri në moshën 22 vjeçare. I mahnitur nga figura e Françeskut të Asizit, zgjodhi rrugën e jetës rregulltare në Urdhrin serafik e nisi të jetonte si vëllezërit e parë të Shenjtit. U bë një nga luftëtarët më të zjarrtë të reformimit së françeskanëve, që u njohën me emrin “Obsevantë”. Mbi majën e një kodre, në Sienë ngriti një kështjellë të vërtetë e njëkohësisht, fidanishte, të françeskanizmit, që njihet edhe sot e kësaj dite me emrin “Observanca”, ku u përgatitën edhe shumë nga françeskanët shqiptarë.

Përhapës i njohur i devocionit për emrin e shenjtë të Jezusit, skaliti monogramin JHS (Jesus Hominum Salvator) mbi pllaka druri, të cilat ua jepte besimtarëve t’i puthnin, në përfundim të predikimeve. Shën Bernardini nga Siena, meshtar françeskan, që na kujton se krishterimi nuk është i lehtë, por i lum. La pas kujtimin e një predikatari të pashoq e me të, edhe predikimet e tij në gjuhën italiane, që asokohe njihej si gjuhë vulgare. E kjo, sepse populli nuk e kuptonte latinishten, në sa françeskanët, në të gjithë shtrirjen e traditës së tyre të lumnueshme, punuan e punojnë për ta bërë Fjalën e Zotit sa më të kuptueshme pikërisht për masat popullore, që i ndoqën me admirim të thellë kudo shkelën. E pra Bernardini nuk i kursente mëkatarët: përkundrazi, i sulmonte me fjalë shumë të ashpra. I dënonte hapur të gjithë ata, që e mohonin Zotin “për një kaptinë hudhër” e sidomos shfrytëzuesit e të varfërve, të cilët i quante “bisha me kthetra, për t’i zhvatur deri në palcë kockat e skamnorëve”.

I ashpër, por i drejtë e paqësor, ai punoi deri në vdekje për të përhapur kudo paqen e të mirat e Atit Serafik. Në vitin 1417 u emërua vikar i provincës toskane dhe u transferua në Fiezole, duke i dhënë një shtytje të fuqishme përpara reformës në vijim, të urdhrit të tij e duke filluar predikimin e jashtëzakonshëm nëpër qytetet italiane. Vdiq në Akuila, ku arriti duke dhënë shpirt, për të vijuar një cikël të ri predikimesh.

Ishte data 20 maj 1444, kur u nis për qiell. Me që ndeshjet ndërmjet fraksioneve kundërshtare vijuan edhe mbasi dha shpirt, nga trupi i tij, i shtrirë në arkivol, nisi të rridhte gjak e vala e gjakut u ndal vetëm kur banorët e Akuilës i dhanë fund sherreve, duke e përcjellë me paqe, në paqen e amshuar, trupin e Prijësit të Observantëve. Bernardini i Sienës u shpall shenjt vetëm gjashtë vjet pas vdekjes, në Rrëshajët e vitit 1450, nga papa Martini V. Monogrami i tij është HIS- Jezu Krishti!

Nga fjalimet e Shën Bernardinit nga Siena : Emri i Jezusit, themeli i madh i fesë.

Ky është ai Emër tejet i shenjtë që u dëshirua aq shumë nga etërit e lashtë, u prit me aq merak të madh, u psherëti me gjëmë të mëdha, u thirr me klithje të forta, u kërkua me lot të shumtë, por që u dhurua në mënyrë të mëshirshme në kohën e hirit. Fshehe, të lutem, emrin e pushtetit, mos të dëgjohet emri i hakmarrjes, le të mbahet emri i drejtësisë. Na e jep emrin e mëshirës, le të jehojë në veshët e mi emri i Jezusit, sepse zëri yt me të vërtetë është i ëmbël dhe fytyra jote është e shkëlqyer (krh. Kk 2, 14).

Themel i madh i fesë, pra, është emri i Jezusit, që i formon bijtë e Hyjit. Dhe vërtet, besimi i fesë katolike qëndron në njohjen rrezatuese të Jezu Krishtit, që është drita e shpirtit, dera e jetës dhe themeli i shpëtimit të amshuar. Ai që nuk e ka apo ai që e braktis atë njohje, është porsi ai që ecën pa dritë në errësirën e natës dhe vrapon me sy të mbyllur nëpër shtigje të rrezikshme. 

Le të shkëlqejë sa të dojë për shkak të madhërisë së mendjes: por derisa ai e ndjek inteligjencën e tij për të kuptuar misteret qiellore, do të ndjekë një udhëheqës të verbër, ose do të jetë si ai që dëshiron të ndërtojë shtëpinë dhe i le pas dore themelet, është porsi ai që dëshiron të kalojë nëpër kulm duke mos e marrë para sysh derën. Ky themel, pra, është Jezusi, drita dhe dera (krh. Gjn 8, 12; 10, 9). Ai shfaqet udha (krh. Gjn 14, 6) e endacakëve; ai u ka dhënë të gjithëve dritën e fesë, nëpërmjet së cilës ai që nuk e njihte Zotin ka mundur ta kërkojë, ai që e kërkonte ka mundur të besojë në të, ai që ka besuar ka arritur ta gjejë. 

Ky themel e mban Kishën, të ndërtuar në emrin e Jezusit. Emri i Jezusit është shkëlqimi i atij që e shpall Ungjillin, për vet faktin se ai e dhuron shkëlqimin e ndritshëm, ai bën që fjala e tij të kumtohet dhe të jehojë. Drita e fesë është përhapur në tërë botën me një gjerësi, me një shpejtësi dhe me një zell të jashtëzakonshëm: e nga mendon ti se mund të ketë ardhur kjo gjë veçse nga predikimi i Jezusit? A thua Zoti nuk na ka thirrur në dritën e tij të admirueshme (krh. 1 Pjt 2, 9) me shkëlqimin dhe ëmbëlsinë e këtij emri? Kështu të ndriçuar dhe duke parë dritën në këtë dritë (krh. Ps 36 /35/, 0), me të drejtë apostulli thotë: “Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës” (Ef 5, 8).

O emër i lavdishëm, emër që dhuron hir, emër që nxit dashuri dhe virtyt! Falë teje braktiset udha e krimit, falë teje mposhten armiqtë, falë teje të sëmurët janë shëruar, të trazuarit kanë rifituar fuqinë dhe harenë. Ti, nderi i besimtarëve, mësuesi i ungjilltarëve, fuqia e atij që heq mund, mbështetja e atij që është në vështirësi. Në zellin tënd të zjarrtë dëshirat ndizen, lutjet dëgjohen, shpirtrat kundrues dehen dhe nëpërmjet teje janë të lavdëruar të gjithë ata që janë kurorëzuar në lavdinë qiellore. Na e dhuro edhe neve, o i ëmbli Jezus, në saje të këtij emri tënd të shenjtë, që të mbretërojmë me ta. “Fjalimet” (Shën Bernardini nga Siena). 

20 maj 2024, 11:59