Kërko

BRAZIL-WEATHER-FLOODS BRAZIL-WEATHER-FLOODS

Rio Grande do Sul, situatë “e dëshpëruar”, por edhe solidaritet

Përmbytja, pasojë e fryrjes së lumit për shkak të motit të keq, deri tani ka shkaktuar mbi 50 të vdekur, më shumë se 70 persona të zhdukur dhe dëme të rënda në komuna. Mijëra njerëz të pastrehë dhe energjia elektrike e ndërprerë. Nisin fushata solidariteti në famulli. Kryeipeshkvi i Shën Marisë: "Shkatërrimi, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet, nuk do të na e rrëmbejnë shpresën"

R.SH. / Vatikan

“Tani për tani, kur shikojmë përreth, shohim vetëm vdekje, njerëz të pastrehë, ura të shembura, rrugë të bllokuara, shkatërrim shtëpish dhe ndërtesash. Zemrat tona janë të trazuara e pyesim veten: çka mund të mësojmë nga e gjithë kjo? E na përgjigjet veç heshtja! Edhe e keqja fizike është mister. Ndërsa ta kundrosh misterin pa imagjinatë apo racionalizëm, është mençuri". Këto, reflektimet që Imzot Leomar Antônio Brustolin, kryeipeshkëv i Shën Marisë dhe kryetar i rajonit 3 të Jugut të Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit (CNBB), në një artikull, ku përshkruan shkatërrimin e shkaktuar nga përmbytjet që goditën shtetin e Rio Grande do Sul, Brazil. Ndoshta përmbytja më e rëndë në historinë e vendit e cila, nga data 2 maj e deri më sot, shkaktoi dëme në më shumë se 300 bashki: 57 të vdekur, mbi 70 të zhdukur dhe 17 mijë të pastrehë.

Ishull, por jo i izoluar

Kryeipeshkvi Brustolin e quan këtë fatkeqësi e madhe, që ra mbi qytetet, siguron lutjet për të vdekurit dhe u drejton fjalë shprese të mbijetuarve: "Zoti është me ne, ne e kemi përvojën dhe jemi të aftë për solidaritet". Krishti - shton ai - "erdhi dhe vjen gjithmonë për të shëruar plagët tona, për të shpallur lirinë tonë, për të ngushëlluar ata që qajnë, për t'u dhënë gëzim atyre, që jetojnë në ankth". “Vdekja, zija dhe lotët nuk do ta thonë fjalën e fundit të jetës, as shkatërrimi, rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet nuk do të na e rrëmbejnë shpresën”- pohon Prelati - “Kjo përmbytje që na goditi, nuk do t’i fshijë nga kujtesa jonë veprat e kryera nga Zoti gjatë gjithë historisë së shëlbimit. Ne do të mbijetojmë dhe do të gjejmë arsye për të rindërtuar rrugët tona, shtëpitë tona, jetët tona. Jemi një ishull, por jo i izoluar”.

Bariu i Shën Marisë kujton gjithashtu se bashkësitë e famullisë janë të hapura dhe të gatshme për të mirëpritur ata që u detyruan të lënë shtëpitë e tyre, për të ushqyer ata, që humbën gjithçka dhe për t'iu përgjigjur nevojave më elementare. “Siç thotë me të drejtë Papa Françesku: ne jemi bashkësi që i ngjajnë një spitali fushor, i cili i ndihmon menjëherë nevojtarët”.

Ura dhe shtëpi të shkatërruara, rrugë të bllokuara

Ndërkohë, situata në zonat e prekura nga përmbytjet është keqësuar pasi më 2 maj lumi Guaiba i kaloi 4 metra mbi nivel, më i larti që nga viti 1941, për shkak të një vale moti të keq. Atë Leonardo Inácio Pereira, famullitar i përgjithshëm dhe koordinator baritor i dioqezës së Caxias do Sul, pohon se ka folur ditët e fundit me disa priftërinj të lidhur me bashkësitë e përmbytura: "Ata janë në sallat e famullisë, ku nuk ka ende energji elektrike... Situata është e dëshpëruar”. “Ka disa komunitete të izoluara, urat janë shkatërruar, rrugët janë bllokuar”- pohon për mediat e Vatikanit kryeipeshkvi i Porto Alegre dhe presidenti i CNBB, Dom Jaime Spengler. “Situatë vërtet shumë e vështirë. E parashikimi i motit nuk është aspak i favorshëm: do të thotë se do të kemi ende reshje të dendura shiu në ditët në vijim. E kjo e dyfishon shqetësimin tonë”.

Lutje dhe fushata solidariteti

Dom Spengler kërkon solidaritet në këtë çast, por mbi të gjitha, lutje të veçantë drejtuar Shenjtit Pajtor të Rio Grande do Sul, São Pedro e edhe Zojës, që të mos vijojë të bjerë shi. “Kemi nevojë për lutje, kemi nevojë për solidaritet. Ka njerëz që vuajnë”. Prej ditësh Kisha e Porto Alegre nisi një fushatë solidariteti. Po mbledh fonde për familjet e prekura nga shirat dhe përmbytjet. Në veçanti, dioqeza e Caxias do Sul nisi së fundmi fushatën e ndihmës ekonomike për t’u ofruar mbështetje materiale shtresave më nevojtare të famullive.

06 maj 2024, 15:03