Shenjtorët e javës 12 - 19 maj
R.SH. - Vatikan
E diel, 19 maj, Kisha katolike kremton festën e Rrëshajëve. Kremtimi i Dikimit të Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Në zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt e derdhi në zemrat tona duke na bërë të aftë ta duam Atin Qiellor, sikur e deshi Krishti, e duke na nxitur ti duam edhe vëllezërit e çdo njeri, siç na ka dashur Ai ne.
Gjithnjë më 19 maj, kalendari përkujton shën Çelestinin V, papë, shën Urbanin I papë, shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, e shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.
Të nënën më 20 maj, kalendari përkujton shën Bernardinin e Sienës, françeskan e Shën Aurën, martire nga Ostia afër Romës.
Të martën më 21 maj, kalendari përkujton shën Kristoforin Magalanes me shokët e tij meshtarë, martirë në Meksikë dhe Shën Eugjenin de Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Marisë.
Të mërkurën më 22 maj, kalendari përkujton shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julien, virgjër e martire.
Të enjten më më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar romak dhe Shën Gilbertin.
Të premten më 24 maj, Kisha Katolike kremton festën e Zojës Ndihmëtare. Asaj i drejtohen besimtarët me lutje e përgjërime, që të ndërhyjë pranë Atit Qiellor për hallet e dertet e secilit. Kjo Zojë nderohet në shumë treva shqiptare, ku Nënës së Krishtit i janë kushtuar kisha të lashta e të reja. Po më 24 maj, përkujtohet edhe shën Vinçenc Lerini e besimtarët katolike luten për Kishën në Kinë.
Të shtunën më 25 maj, kalendari kishtar përkujton shën Bedën, meshtar benedektin e Doktor i Kishës, shën Marinë Madalenë de Paci, virgjër dhe shën Gregorin VII, papë.
Të dielën e ardhshme 26 maj, Kisha katolike do të kremtojë festën e Trinisë Shenjte. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.
Gjithnjë më 26 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Filip Nerin, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; Shën Eleuterin papë e Shën Simetrin, martir.