Kisha kremton festën e së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës
R. SH. - Vatikan
Festa e së lumes Virgjër, Nënë e Kishës, na kujton sesi amësia hyjnore e Marisë shtrihet, sipas dëshirës së vetë Krishtit, në amësi për të gjithë njerëzit, domethënë, për vetë Kishën, që i besohet. Që nga viti 2018 kremtohet të hënën pas Rrëshajëve.
“Ishin pranë kryqit të Jezusit e ëma, e motra e s’ëmës, Maria Clèofa e Maria Magdalenë. Jezusi atëhere, duke e parë Nënën e, pranë saj, dishepullin, që e Ai e donte, i tha së ëmës: “Grua, ja yt bir!”. E pastaj i tha edhe dishepullit: “Ja nëna jote!”. E që nga ky çast dishepulli e mori në shtëpinë e tij” (Gjn 19, 25-27).
Është pikërisht ky fragment biblik, që e përligj titullin e Marisë “Nënë e Kishës”, personifikuar këtu nga dishepulli i dashur, Gjoni, të cilit vetë Jezusi ia beson Zojën si birit, për ta rilindur për jetën hyjnore, ashtu si di vetëm Ajo. Nuk është thjesht devocion marian, pra, t’i lutesh Marisë me këtë titull, por është të vësh në jetë dëshirën e Jezusit, ashtu siç na e kujton Shkrimi Shenjt: Krishti, me fjalët e shqiptuara në çastin kur po jepte shpirt, dëshiron që Maria të kujdeset për çdo njeri, por edhe që çdo njeri ta ndjejë veten të lidhur me të, si biri me nënën e vet.
Maria, në qendër të dogmës së shëlbimit
Devocioni për Marinë - ashtu si devocioni për Kryqin edhe Eukaristinë - ka qenë e do të jetë gjithnjë shtylla kryesore e fesë, por me kujtimin e së Lumes Mari, si Nënë e Kishës, në vitin 2018, Papa Françesku deshi të bënte diçka më shumë. Mbi të gjitha, pati bindjen se lartimi i Marisë në qendër të dogmës së shëlbimit, do të mund t’i bënte mirë Kishës e do ta shtonte dashurisë amtare në gjirin e saj. Por, sidomos, e vuri Marinë në qendër të kësaj dogme. Deri në këtë pikë, përshpirtëria mariane zbret drejtpërdrejt nga besimi në të Shenjtnueshmen Trini.
Meqë Zoti e deshi atë, gruan me mish e gjak, si nënë për të Birin e vet, vetëm përmes saj njeriu mund ta fitojë mëshirën hyjnore. Amësia e Marisë nis që me Lajmërimin: me ‘po”-në e saj, Zoja i hapi Zotit rrugën për të hyrë në histori: e amësia e saj, përmes vullnetit hyjnor, nuk mbaron tek këmbët e kryqit, por hyjnizohet, me synimin për ta çuar tek njerëzit, e ndërmjet tyre, figurën e Birit të saj. Ndërkaq ajo shikohet si nënë qysh nga besimtarët e parë, Apostujt, në Çenakull, në pritje të zbritjes së Shpirtit Shenjt. Këtu fillon lidhja me përkujtimin e solemnitetit të Rrëshajëve, që Papa Françesku deshi ta nënvizonte.
Devocioni për Virgjërën Mari, në magjisterin e Papëve
Titulli i Marisë “Nënë e Kishës” i ka rrënjët të thella. Eshtë i pranishëm në përshpirtërinë e Shën Agostinit e të Shën Leonit të Madh. Gjatë shekujsh, pastaj, të devoçmit e Nënës së Krishtit nisën t’i luteshin, duke e thirrur me një mori titujsh, por ky i Nënës së Kishës duket së pari në disa tekste të autorëve të përshpirtshëm si dhe në magjisterin e Benediktit XIV dhe Leonit XIII. Sidoqoftë, duhet të arrijmë tek Pali VI, për të përjetuar kthesën e madhe! Ishte data 21 nëntor 1964 kur, në përfundim të seancës së tretë të Koncilit II të Vatikanit, Papa e shpalli Virgjërën Mari “Nënë e Kishës”, domethënë, e mbarë popullit të krishterë, e besimtarëve dhe barinjve, që e quajnë “Nënë e shumëdashur”. Me këtë vendim Papa rikujton përmbajtjen e Besojmës së Nikesë, të vitit 325 e, në mënyrë të posaçme, vendimet e Etërve të Koncilit të Efezit (430), që e quajnë Marinë “Nëna e vërtetë e Zotit”.
Në Vitin Shenjt të Pajtimit (1975) Selia e Shenjtë propozoi një Meshë për nder të Nënës së Kishës, që do të radhitej, pastaj, në Mesharin Romak, por akoma jo në Kalendarin liturgjik. Gjithsesi, në disa vende - për shembull në Poloni e Argjentinë - si dhe pranë disa urdhërave rregulltare, u përhap kremtimi i kujtimit liturgjik të “Marisë, Nënë e Kishës”, që u shënua edhe në kalendaret e tyre të veçanta.
Papa Gjon Pali II, në vitin 1980, e radhiti në Litanitë lauretane nderimin për Zojës, si Nënë e Kishës. Arrijmë, kështu, në 11 shkurtin e vitit 2018, ditë e 160-vjetorit të dukjes së parë të Zojës Lurdë. Me këtë rast, Papa Françesku vendosi që kujtimi i Së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës, të shkruhet në Kalendarin romak - duke e shpallur kështu, festë universale – për t’u kremtuar çdo vit, të hënën pas Rrëshajëve.