Më 18 qershor kalendari kujton shën Marinën, murgeshë
R. SH. - Vatikan
Për jetën e Shën Marinës, murgeshë, e cila pёrkujtohet sot, të dhënat janë të tilla, që na krijon vështirësi për ta dalluar nga tri Marina të tjera: Shën Marina e Antiokisë, martire (kremtohet më 20 korrik), Shën Marina Orense (më 18 korrik) dhe e Lumja Marinë e Spoletos, që gjithashtu kremtohet më 18 qershor.
Ndërsa, për disa aspekte të tjera, Shën Marina ka tërhequr në çdo kohë vëmendjen e hagjiografëve, aq sa është krijuar një grumbull me dokumente në më se dhjetë gjuhë lindore e perëndimore, që përkojnë e s’përkojnë, në përpjekjen për të gjetur të vërtetën historike mbi jetën e shenjtores. Shtete të ndryshme, ku u përhap devocioni i shenjtes, bënë përpjekje për të vërtetuar se kishte lindur në trojet e tyre. Prandaj për të herë thuhet se lindi në Egjipt, herë në Traki, pastaj në Bitini, në Sicili e në Liban. Duket se lindja në Liban është varianti më i besueshëm, e se data e lindjes duhet të jetë diku ndërmjet ditëve të shekullit V.
Në rrëfimin mbi jetën e shenjtes gjejmë shumë përkime me shenjtore të tjera, si Shën Apolinaria, Atanasia, Anastasia, Eufrozina, Eugjenia e Teodora, që u ndodhën pak a shumë në situatën e saj. Historia e jetës së Shën Marinës është aq interesante, sa mund të shërbejë si subjekt për filma e për vepra dramatike. E deshi aq shumë të jatin sa, kur ky mbeti i vejë e nisi të kërkonte një mbështetje të sigurt, në ato kohë të trazuara, për të mos e lënë vetëm, u vesh si burrë e ndërroi edhe emrin. E quajti veten Marin.
Pas vdekjes së babait, gjithnjë e veshur si burrë, hyri në një kuvend rregulltarësh. Por një ditë iu desh të shoqëronte një grup murgjërish, që ishin nisur për rrugë të largët. Kur grupi u ndalua të flinte në një han, e bija e hanxhiut, që kishte mbetur shtatzënë me kush e di se kë, paditi pikërisht murgun Marin si baba i foshnjës. Hanxhiu, i tërbuar, shkoi menjëherë të kërkonte nderin e së bijës tek egumeni i kuvendit.
Marina nuk bëri asnjë përpjekje për t’u shfajësuar. Natyrisht u flak menjëherë jashtë kuvendit e, pas lindjes së fëmijës, e detyruan ta mbante. Po me se? Ajo s’kishte gjë prej gjëje. Ushqehej me lëmoshë e flinte ku mundte, gjithnjë në rrethinat e kuvendit, duke qarë me lot e duke bërë pendesë për një mëkat që s’ishte i saji. Egumeni, i prekur thellë nga pendesa e asaj, që ai e dinte murg, pas tri vjetësh e pranoi rishtas në kuvend, ku e jetoi në mënyrë shembullore jetën në bashkësi.
Pak kohë më pas, Marina-Marin vdiq. Përfytyrojeni habinë e murgjërve kur, duke e veshur për së vdekuri, panë se ishe femër e kuptuan se kishte jetuar një jetë të tërë si fajtore pa faj, duke duruar gjithçka e duke iu nënshtruar plotësisht vullnetit të Zotit.
Shumë Kisha lindore nisën ta përkujtonin në ditë të ndryshme në kalendarët e tyre: Martiriologu Romak e kujton më 18 qershor e po në këtë datë edhe në Paris nderohet Shën Marini-Marina. Emri vjen nga latinishtja, Marinus, njeri i detit, por mendohet se mund të vijë edhe nga Marius (Mario). Shumë i përhapur në Itali e në Francë, përdoret edhe në formën përkëdhelëse Marinela.