Më 2 qershor, kalendari kujton Shën Marçelinin e Shën Pjetrin, martirë

Marçelini e Pjetri ishin të dy të krishterë të bashkësive të para romake. Po sa u zbulua se kishin përqafuar fenë e Krishtit, u zvarritën jashtë qytetit, gjatë Rrugës romake Labikana, pranë trojeve të lateranëve, atje ku sot lartohet Bazilika e Shën Gjonit në Lateran (Romë). Këtu, Marçelinin e Pjetrin i detyruan t’i bëjnë varrin vetes duke e gërmuar me duar. Si u bë gati gropa, ua prenë kokat për shkak të fesë së tyre në Krishtin, në zonën Torpignattara rrugës Casilina më 2 qershor të vitit 302

R.SH. - Vatikan

Më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Marçelinin e Shën Pjetrin, martirë. Shenjtorët martirë Marçelini, meshtar e Pjetri, ekzorcist, siç na njofton Papa Shën Damasi, qenë dënuar me vdekje gjatë persekutimeve të perandorit romak Dioklecianit kundër të krishterëve.

Që të dy ishin të krishterë të bashkësive të para kishtare të Romës. Pasi u zbulua që ishin të krishterë e nuk pranuan ta mohonin fenë e tyre në Krishtin, u tërhoqën zvarrë jashtë Romës, në një vend që njihet me emrin “Dy lasuret”, gjatë rrugës Labikana, pranë trojeve të lateranëve, pikërisht atje ku sot lartohet bazilika e famshme e Shën Gjonit në Lateran të Romës.

Këtu i detyruan t’i bëjnë varrin vetes duke e gërmuar me duar. Më pas ua prenë kokat sepse nuk pranuan ta mohonin Jezu Krishtin Zot e Shpëtimtar. Trupat e tyre ranë në varrin e hapur dhe u mbuluan sakaq me dhé. Disa ditë më pas, matrona e përshpirtshme  romake Luçila, i mori trupat e tyre dhe i varrosi me nderim.

Perandori Kostantin, sipas dëshirës të së ëmës, ngriti mbi eshtrat e martirëve një bazilikë madhështore e po aty, ndërtoi mauzoleun, ku vendosi trupin e Elenës, para sa ta çonte për të pushuar në banesën e fundit në Kostandinopojë.

02 qershor 2024, 12:31