Më 20 qershor kalendari kujton Shën Silverin, papë
R.SH. - Vatikan
Kalendari kishtar mё 20 qershor përkujton Shën Silverin (+537), papë e martir. Papnia e tij qe e shkurtër e tepër trazuar. U ngatërrua, pa dashur, në luftërat politike e fetare, që kishin përfshirë Italinë, për sundimin e së cilës ndesheshin me armë Bizanti e Ostrogotët, në sa në lindje vijonte veprimtaria e grupeve të monofizitëve, që mohonin natyrën njerëzore të Krishtit, të përkrahur nga perandoresha Teodora. Kujtojmë se pasojë e të kësaj herezie, të dënuar në vitin 451 nga Koncili Kishtar i Kalçedonisë, ndodhi shkëputja e Kishës kopte, armene e jakobite të Sirisë.
Jetën e tij mund ta tregojmë me pak fjalë: me origjinë nga Kampanja e Italisë, iu desh të përballonte tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre vjetëve, u burgos e u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq. Por sa ngatërresa, vuajtje e poshtërime fshihen pas këtyre pak fjalëve.
Silveri ishte bir i një Pape tjetër shenjt, Ormisdës ( 6 gusht), i zgjedhur pasi kishte shërbyer në Kishë si diakon e kishte mbetur i vejë. Ndërsa Silveri u ul në fronin e Shën Pjetrit pas Agapitos I, vdekur në Kostandinopojë më 22 prill 536. Pa hyrë në hollësirat e jetës së tij, që i kemi përsëritur shumë herë, sot po kujtojmë se Shën Silveri kremtohet në një datë të pazakontë për Kishën Katolike, më 20 qershor. Themi të pazakontë, sepse kjo datë nuk është as e lindjes e as e vdekjes, ndërsa Kisha Katolike i kremton shenjtorët në përgjithësi në datën e vdekjes së tyre që, për të krishterin, është datë e lindjes së vërtetë, asaj për qiell.
Në Martirologun Romak lexojmë: “Më 2 dhjetor, në ishullin e Palmarolës, u nis për në qiell Shën Silveri, Papë e Martir i cili, duke mos pranuar ta shfajësojë Anthimin, ipeshkëv heretik i Kostandinopojës, shfronësuar nga paraardhësi Shën Agapito I (22 prill), Papë vetëm për njëmbëdhjetë muaj, ishte në Kostandinopojë kur vdiq, në vitin 536. Në atë kohë perandori Justiniani e gjenerali Belisario dëshironin ta lironin Italinë nga sundimi gotëve, e perandoresha Teodora, e cila ishte anëtare e monofistëve, donte që në Romë në fronin e papatit, në vend të Agapito-s, të ulej një kandidat bizantin e me fe monofisitë. Për këto arsye Teodato, mbreti i fundit i ostrogostëve të Italisë, propozoi për Papë Silverin nga kleri romak. Fillimisht plot dyshim (Silveri ishte vetëm subdiakon), u tregua pastaj i gatshëm edhe për të bllokuar kandidatin e Teodorës. Papa i ri, Silveri u ul në selinë papnore në një moment të lëkundjeve e paqëndrueshmërisë së madhe politike e të intrigave të oborrit.
Kisha katolike e shpalli shenjt Silverin dhe nisi ta përkujtojë më 2 dhjetor. Ndërsa Ponca (Itali), që e ka pajtor qiellor, e përkujton më 20 qershor. Në këtë datë shtatorja e Shenjtit mbartet me procesion mbi një mbajtëse në formë barke peshkimi, të mbuluar me karafila të kuq. E edhe vetë ishulli vishet për festë për tri ditë. Festë me fishekzjarrë, lojëra e muzikë. Festa u shtri në të gjithë Kishën, nga ishulli, që në këtë ditë i lutet kështu Shën Silverit:
“O Martir i lumnueshëm, Shën Silveri, kryebari i Kishës e mëkëmbës i Krishtit. Ti arrite në pranga në këtë ishull, pse mbrojte fenë e vërtetë të krishterë, e na le si kujtim reliket e tua, të ndriçuara nga shumë mrekulli, që dëshmojnë shenjtërinë e të drejtit të persekutuar: ne të nderojmë si hero i Kishës, militant e ngadhënjimtar. Bashkojmë bekimet tona me ato të engjëjve, që admirojnë qëndrueshmërinë tënde e galdojnë nga gëzimi për forcën e fesë sate. O Pajtori ynë i dashur! Shpëtona nga çdo fatkeqësi në jetën tokësore e nga sulmi i zjarrit të ferrit, në fill të mortjes sonë. Ndihmona që, me fe të gjallë, shpresë të patrandshme e dashuri të flaktë, të vijmë për të gëzuar së bashku me ty, kënaqësitë që Zoti ynë Jezu Krishti na përgatiti në qiell”.