Kërko

Me 21 qershor kalendari kujton Shën Luigj Gonzagën, rregulltar

Shën Luigj Gonzaga ndërroi jetë më 21 qershor 1591. Mbetet model i të riut katolik. Kisha na paraqet shenjtin si shembull mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i fton të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin. Për besimtarët katolikë shqiptarë, njohja nga afër e Shenjtit të Rinisë, shën Luigjit Gonzaga është bërë nga vepra origjinale e priftit e shkrimtarit të madh shqiptar, dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”

R. SH. - Vatikan

Më 21 qershor Kisha katolike përkujton njërin nga shenjtorët më të njohur: shën Luigj Gonzagën, princ, meshtar e rregulltar jezuit.  Eshtë shembull i jashtëzakonshëm për shpirtin e sakrificës dhe pastërtinë e sjelljeve dhe veprave.

Shën Luigj Gonzaga duhet parë lidhur me rrethanat historike e ato familjare. Rrethanat historike janë ato të shekullit XVI; familjare - ato të një familjeje fisnike e të pushtetshme, e cila mund t’i hapte pinjollit të saj të gjitha rrugët, që të çonin drejt pasurisë e lavdisë. E duhet menduar edhe se ai ishte djali i parë. Prej këndej theksojmë se në personalitetin e tij spikat pikërisht fakti se ua ktheu shpinën gjithë këtyre mundësive, për hir të një vlere, e cila për të ishte më e madhja, dashuria pёr Zotin dhe pёr tё afёrmin. Iu kundërvu, por pa zemërim, pushtetit, koprracisë, pasurisë, kënaqësive, të cilat ia shtronte nën këmbë me shumicë, familja, ku kishte pasur fatin të lindej.

Pra, Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga dhe kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretëreshës Elizabeta. Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç mori kungimin e parë nga Shën Karl Borromeo e, më vonë, vendosi të hynte në Shoqërinë e Jezusit, te Jezuitët, por për këtë iu desh të luftonte dy vjet me të atin.

Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit. Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. U shërbeu pa u kursyer të prekurve nga murtaja, që kishte goditur Romën më 1590 dhe që preku edhe atë vetë, duke i shkaktuar vdekjen më 1591, kur ishte vetëm 23 vjeç. E shkurtër, jeta e Shën Luigj Gonzagës, por me gjurmë të thella. La pas një thesar vlerash.

 Për besimtarët katolikë shqiptarë, njohja nga afër e Shenjtit të Rinisë, shën Luigjit Gonzaga është bërë nga vepra origjinale e priftit e shkrimtarit të madh shqiptar, dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”.

21 qershor 2024, 08:17