Më 3 qershor kalendari kujton Martirët e Shenjtë të Ugandës (Karl Lwanga e 21 shokët)
R. SH. - Vatikan
Më 3 qershor Martirologu Romak përkujton martirizimin e Karl Lwangës me 12 shokë, ndërsa në kalendarin e përgjithshëm përkujtohen të njëzet e dy martirët e Ugandës. Të shpallur shenjtorë nga Pali VI në 1964,në vitin 2015 u kujtuan nga Papa Françesku gjatë shtegtimit të tij apostolik në Ugandë si shembull shenjtërie për të gjithë. Martirizimi vijon në mënyra nga më të ndryshmet Po sot një pjesë e mirë e martirëve janë të padukshëm!
Martirët e Ugandës, shembull i ekumenizmit të gjakut
Martirët e Ugandë i vranë në fund të shekullit të 19-të, vetëm e vetëm pse ishin të krishterë. Ata - dhe vëllezërit e tyre anglikane - të bashkuar nga një fund tragjik, dëshmojnë “edhe sot e kësaj dite fuqinë shndërruese të Ungjillit të Jezu Krishtit". Pak vite më parë Papa Françesku kërkoi që kujtimi i tyre të mos ishte “i rastit” e që trashëgimia e tyre “të mos ruhet si diamant në muze”. Kisha Katolike nderon si Martirë të Shenjtë të Ugandës një grup prej njëzet e dy shërbëtorësh, pazhë dhe zyrtarë të mbretit të Bugandës, në Ugandën e sotme, të kthyer në katolicizëm nga misionarët e Afrikës të kardinalit Charles Lavigerie, të ashtuquajturit “etërit e bardhë”. U vranë si të krishterë nën sundimin e Mwanga II, ndërmjet 15 nëntorit 1885 dhe 27 janarit 1887. Data 3 qershor ka vlerë të dyfishtë: është përvjetori i martirizimit të Karl Lwangës me 12 shokë, i kujtuar në Martirologun Romak, ndërsa në Kalendarin e Përgjithshëm, memoriali i përbashkët liturgjik i të njëzet e dy martirëve të Ugandës.
Historia e misionarëve
Dëshmorët e djeshëm, dëshmorët e sotëm. Martirizimi nuk i përket vetëm së kaluarës! Vijon. Në një mori mënyrash! Papa Françesku na kujton se numri i martirëve është gjithnjë në rritje”. E ndërmjet tyre janë edhe “dëshmorët e padukshëm”, më të varfërit, historitë e të cilëve shpesh shuhen në harresë. Martirë janë të gjymtët, të lënët gjithnjë mënjanë, edhe në këndvështrimin kulturor. Martirë janë shumë të krishterë në botë. Po kujtojmë vetëm egjiptianët koptë, që nuk mund të shprehin lirisht besimin e tyre. Çka ndodh në vende të ndryshme botës me vëllezërit tanë të krishterë dihet pak, po martirizimi nuk ka mbaruar kurrë. Përkundrazi, është shtuar. E duket kudo, në mënyra e forma të reja, por gjithnjë me fytyrën e martirizimit!
Udha e Kryqit e martirëve të Ugandës
I kapën dhe i dënuan nnjë mijë mënyra, për t’i bërë të mohonin! E, për t’i shtuar vuajtjet e të dënuarve, sovrani vendosi t'i transferonte ata nga Pallati Mbretëror i Munyonyo në Namugongo, vendi i ekzekutimeve në kryeqytet: 27 milje udhë, mbi 43 kilometra, që u shndërruan në një “Udhë Kryqi” të vërtetë. Gjatë rrugës, Charles dhe shokët e tij iu nënshtruan dhunës së ushtarëve të mbretit, të cilët u përpoqën, me çdo mjet, për t’i bërë ta mohonin Krishtin! Tetë ditë ecje, të përshkuar tej e ndanë me shtiza, të varur, të gozhduar në pemë. Më 3 qershor, kush mbeti gjallë mbërriti në kodrën Namugongo, ku Carlo Lwanga dhe shokët e tij, së bashku me disa anglikanë besnikë, u dogjën të gjallë. U bënë, kështu, Pishtarë të Dritës së Krishtit e burim i një mori burimesh, që nuk do të shterrojnë kurrë. Me besimin e patundur se kur të mos ishin më, të tjerët do të vinin pas tyre”.