Më 5 qershor kalendari kujton shën Pjetrin, oshënar, nga fshati Korishë afër Prizrenit
R. SH. - Vatikan
Më 5 qershor kalendari kujton shën Pjetrin, oshënar, nga fshati Korishë, afër Prizrenit, në Kosovë.
Pjetri është me prejardhje nga fshati Ujëmirë, që gjendet në jug-lindje të Pejës. Pjetri u rrit shumë i varfër, jetonte me bukën që fitonte duke lëvruar një copë toke (arë) tejet të vogël me një ka të verbër nga njëri sy.
Pas vdekjes së prindërve, u tërhoq në një vend të izoluar bashkë me të motrën Helenen. Më vonë, u izolua brenda një shpelle në kodër të fshatit Korishë, jo larg Prizrenit, në Kosovë. Pas një pendese të gjatë, në lutje e meditim të Fjalës së Zotit, Pjetri vdiq kah mbarimi i shekullit XIII-të.
Mbreti serbë, Stefan Dushani (1331-1355) dha urdhër që në këtë vend të vdekjes së Shën Pjetrit, të ndërtohej një Kishë, e cila u vu nën mbrojtje të manastirit të Hilandarit mbi Malin Athos. Në vitin 1572 reliket e Pjetrit u bartën në manastirin e Shën Mihillit Kryengjëll, në zonën e Ibrit, ku edhe gjenden e nderohen.