Izrael, dorëheqja e Benny Gantz. Konflikti përhapet në terren
R.SH. – Vatikan
Ministri izraelit i Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, siç pritej, vendosi të largohej nga qeveria: "Netanyahu na pengon të ecim drejt fitores së vërtetë, prandaj, sot largohemi nga qeveria e jashtëzakonshme, me zemër të rënduar, por të paprekur". Këto janë fjalët me të cilat ministri njoftoi dje dorëheqjen dhe daljen e partisë së tij të Unitetit Kombëtar nga qeveria e koalicionit, gjë që pritej prej ditësh, por që Gantz e shtyu pas operacionit të ushtrisë izraelite, i cili, paraditen e së shtunës, çoi në lirimin e 4 pengjeve në kampin e refugjatëve Nuseirat, në qendër të Rripit të Gazës. Pas dorëheqjes së Benny Gantz, kreu i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, kërkoi zyrtarisht të hyjë në qeverinë e emergjencës, krijuar për t'i bërë ballë konfliktit me Hamasin në Rripin e Gazës.
OKB: votim për një marrëveshje armëpushimi
Pa specifikuar datën, SHBA-të kanë kërkuar një votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për projekt-rezolutën e tyre lidhur me marrëveshjen e armëpushimit në Gaza. Njëkohësisht, u njoftua një mision i ri në Lindjen e Mesme për Sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken.
Vizita e Blinken në Izrael
Para se të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Blinken do të shkojë në Kajro për bisedime me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi. Në tryezën e negociatave, lirimi i pengjeve të tjera dhe ndalimi i ndeshjeve me armë, i cili mund të sjellë edhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Lufta
Konflikti nuk ka të bëjë vetëm me Rripin e Gazës. Për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme, sot një celulë e Hezbollahut hodhi raketa kundërajrore kundër droneve luftarake izraelite në Libanin jugor, ndërsa dy palestinezë u vranë në po aq bastisje izraelite në Cisjordani.