Sacro Cuore di Gesù Cristo Sacro Cuore di Gesù Cristo

Kisha katolike kremton festën e Zemrës së Krishtit

Zemra e Krishtit, vendi i veprimit mistik të Zotit. Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore. Fjalë për Zemrën e Krishtit: “Eja ta adhurojmë Zemrën e Krishtit, të plagosur për dashurinë tonë!”.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake kremton sot festën e Zemrës së Krishtit, simbol real, që na do e gjithmonëna fal. Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar, dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit. Solemniteti i Zemrës së Krishtit na pohon se ‘Dashuria është më e fort se vdekja’. Jo vetëm, libri i Biblës, Kënga e Këngëve pohon (8,6) se “dashuria është e fort si vdekja”, por kjo festë e Zemrës së Krishtit deklaron më shumë, se “dashuria është më e fort se vdekja”. Kjo është forca e dashurisë shpëtimprurëse (shelbuese) e Krishtit, që me sakrificën e vet e ka fituar, madje mposhtur vdekjen e ka sjell fitoren e ringjalljes. Kjo fitore nxjerrët në pah nga kulti kushtuar Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit.

Muajin qershor Kisha ia kushton Zemrës së Krishtit

Sikur muajin maj që Kisha ia kushtoi Zojës së Bekuar, kështu muajin qershor  Kisha ia kushton Zemrës së Jezu Krishtit. Kjo traditë buron nga përshpirtëria popullore, lex orandi e Papa Leoni XIII me Enciklikën ‘Annum sacrum’ ‘Viti Shenjt’ të 25 majit 1899 ia ka kushtuar mbarë njerëzimin Zemrës së Krishtit. Që nga kjo kohë e deri më sot, vijon kjo traditë e bukur të cilën populli i krishterë e ka kaq përzemërt.

Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, duke kujtuar se festa e Zemrës së Krishtit, kremtuar në Kishë të premten e kaluar, i jep tonin të gjitha ditëve të muajit qershor. Përshpirtëria popullore, i vlerëson shumë simbolet, e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit. Por nuk është ndonjë simbol i trilluar, është i vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin.

Nga Zemra e Jezusit buron falja dhe jeta

Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja e jeta, për të gjithë njerëzit. Por mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë; është edhe forcë; forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun. E dokumenton këtë Shën Luka Ungjilltar, në episodin e vejushës së Nain, fshat i Galilesë, ku Jezusi me dishepujt e tij arrin pikërisht në çastin kur kremtohet një funeral. Ka vdekur biri i vetëm i një vejushe. Nëna e përcjell në varr shpresëhumbur, e mbytur në lot. E pikërisht mbi sytë e saj të përlotur ngulen sytë e Zotit. Duke e parë, Krishti ka mëshirë për të.

Kjo mëshirë është dashuria e Zotit për njeriun, është sjellja e Zotit, në takim me mjerimin njerëzor, me skamin tonë, vuajtjen tonë, ankthin e zemrës sonë.  Vetë termi biblik ‘mëshirë’, të kujton dashurinë e thellë amtare, dashuri e pashoqe, që vetëm zemra e nënës e ndjen për krijesat e mishit e të gjakut të vet. Kështu na do Zoti, thotë Shkrimi Shenjt.

Po cili është fryti i kësaj dashurie? Është jeta!”. Mëshira e Zotit i jep njeriut jetë. Zoti na shikon gjithnjë me mëshirë, na pret me mëshirë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi Atij! Ka një zemër plot me mëshirë. Nëse ia zbulojmë plagët e shpirtit tonë, mëkatet tona, Ai na fal, gjithnjë. Është mëshirë e pastër.

 Të jesh i devoçëm i Zemrës së Krishtit

Do të thotë ta adhurosh Zemrën e Krishtit si seli të dashurisë së Zotit e të mëshirës së tij të pambaruar. Jezu Krishti e bëri të dukshme dashurinë e Atit përmes Zemrës së Tij njerëzore, të ndjeshme, plot me dashuri e mëshirë. Kulti publik liturgjik i Zemrës së Krishtit bazohet mbi zbulimet që vetë Zemra e Krishtit i bëri motrës së shenjtë, Margerita Marisë e, para saj, edhe mistikëve të tjerë.

Jezusi iu duk nën formën e një dielli të shkëlqyer e i tha këto fjalë: ‘Kjo zemër e shporuar mbi Kryq nga dashuria, në vend që të gjejë ndër njerëz dashuri e mirënjohje, gjen përbuzje, fyerje e deri blasfemi’. E Jezusi i tha rishtas: ‘E shpëtova botën me Kryqin e mundimeve të mia. E tani dua ta shpëtoj përsëri, duke i treguar Zemrën time, oqean i mëshirës sime të pambaruar’.

E më pas Krishti kërkoi kultin, jo vetëm individual, por edhe publik e shoqëror, kultin liturgjik, me themelimin e festës së Zemrës së tij të Shuguruar ditën e parë pas tetëditshes të Solemnitetit të Korpit të Krishtit. Jezusi ka thënë: mësoni nga unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Dhe jeta jonë ka lindur e duhet të përtërihet nga Zemra e shporuar e Jezu Krishtit.

Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit në Shqipëri

Revista e parë fetare në Shqipëri, “Elçija e Zêmers sê Jezu Krisctit”, që duke filluar nga viti 1914 do të titullohej “Lajmëtari i Zêmers së Jezu Krishtit”, u bë edhe lajmëtare e parë e Zemrës Hyjnore ndër shqiptarë. Nisi të botohej që më 1891 nga etërit jezuitë. Kjo revistë fetare kulturore u shkrua në dialektin gegë me alfabetin e shkrimtarëve të vjetër të Shqipërisë veriore dhe atë italian deri më 1909, pastaj vazhdoi me alfabetin e Manastirit.

Pati edhe një Shtojcë kulturore që vijoi të botohej nga viti 1909 deri më 1913. Më 1914-1916 shtojca u botua më vete me titull “Përparimi” - titull ky që shpreh simbolikisht qëllimin themelor të veprimtarisë së Kishës Katolike në Shqipëri. Drejtori i parë i revistës ka qenë At Jak Jungu (1891-1896). Penat më të forta të “Lajmëtarit” kanë qenë: Imzot Lazër Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, Dom Ndue Bytyqi, Filip Shiroka, Dom Pashk Babi dhe pothuajse të gjithë etërit jezuitë, ndër të cilët shquhet pena e themeluesit të shkollës letrare jezuite, At Anton Xanonit.

Në një libër të vjetër uratësh në shqipe gjetëm këtë fjalë, që në këtë festë, e përherë, Jezusi na thotë: “ M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty”! Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvujtë. Bëj që zemra ime t'i përngjajë Zemrës sate.

07 qershor 2024, 10:24